Vendosni fjalën kyçe....

Në Butrint është kompromentuar Fondi Amerikan i Zhvillimit, eksperti zbardh shkeljet


Parku i Butrintit do jepet me koncesion për 10 vjet nga qeveria shqiptare. Qendra më e njohur arkeologjike në vend do administrohet nga një agjenci e re.

Kjo e fundit do njihet me emërtimin Fondacioni i Ri dhe do jetë një organizatë e formuar nga Partneri Strategjik, që është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministria e Kulturës ndërsa marrëveshja mes ministrisë së drejtuar nga Elva Margariti dhe fondacionit të ri do duhet të miratohet në parlament.

Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, është një organizatë që ka rreth 10 vjet e përfshirë në projekte për Butrintin. Për hartimin e projektit të menaxhimit të parkut të Butrintit, ajo ka kontraktuar dhe mbështetur financiarisht kompaninë angleze, ‘Prince and Pierce’.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, AADF-ja, një organizatë e huaj private nuk e ka mohuar interesin e saj për të qenë partneri strategjik i përmendur nga Ministria e Kulturës në skemën e ndërtuar për administrimin e parkut.

Sipas studiuesit Agron Alibali, parku i Butrintit është pasuri e UNESCO-s dhe me skemën e propozuar nga Ministria e Kulturës për administrimin e tij, Shqipëria është në shkelje të Konventës së Parisit. Kjo Konventë përcakton rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve anëtare, të njohura si ‘shtete palë’, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.

Çfarë thotë Konventa e Parisit (Një shpjegim nga studiuesi Agron Alibali)

Sipas studiuesit Agron Alibali, Neni 4 i Konventës shprehet mëse qartë se ‘detyra’ [the duty] për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore[…] që ndodhet në territorin e tij i takon në mënyrë parësore atij Shteti.’

Më tej ai vëren se Neni 6 .1 ripohon se ‘sovraniteti i Shteteve në territorin e të cilit ndodhet trashëgimia kulturore dhe natyrore respektohet plotësisht’, dhe ‘të drejtat pasurore të mbrojtura në legjislacionin kombëtar nuk paragjykohen’.

Po kështu, Neni 6.3 është edhe më i qartë në përcakimin e rolit unik dhe të pazevëndësueshëm të ‘shteteve palë’ në rregullimin e statutit juridik dhe menaxhimin apo administrimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore duke përcaktuar se ‘çdo Shtet Palë zotohet të mos ndërmarrë asnjë masë të qëllimshme [deliberate measure} që mund të dëmtojë direkt ose indirekt trashëgiminë kulturore dhe natyrore […] që gjindet në territorin e një Shteti Palë tjetër’.

Sipas Konventa së Trashëgimisë Botërore, përkufizohet qartë roli i fondacioneve të ndryshme ‘publike ose private’ në mbrojtjen e trashëgimisë kultorore dhe natyrore. Sipas Nenit 17 të Konventës, këto fondacione, së pari duhet të jenë vendase e jo të huaja, së dyti, ato mund të angazhohen vetëm për qëllime filantropike.

Nenit 17 i Konventës së Parisit

‘Shtetet Palë të kësaj Konvente do të marrin në konsideratë ose do të inkurajojnë ngritjen e fondacioneve ose shoqatave vendase publike ose private, qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore sikurse përcaktohet në Nenin 1 dhe 2 të Konventës.’

Lëvizjet e qeverisë shqiptare

Qeveria shqiptare ka bërë disa ndryshime në ligjin për administrimin e trashëgimisë kulturore e muzetë. Ligji 27.2018, i miratuar në maj 2018, ka dy nene, përkatësisht 171-173 që i hapin rrugës administrimit nga kompanitë e huaja, duke rënë ndesh me Konventën e Parisit, siç u cek me lart, vëren Alibali.

Çfarë thotë ligji i miratuar më 17 maj 2018

Neni 171.1 – ‘Pasuritë kulturore në pronësi publike administrohen në formë direkte ose indirekte.

Në Nenin 171.3.a përmendet termi: ‘fondacioneve të posaçme të trashëgimisë kulturore’.

Kundër dhënies me koncesion të parkut të Butrintit është shprehur edhe studiuesi Auron Tare e arkeologu Neritan Ceka. Tare vëren se është tejet e rrezikshme të japësh me koncesion trashëgiminë kulturore duke shtuar se nuk ka asnjë model të këtij lloji në Europë.

“Butrinti ka nevojë për përmirësim, ka nevojë për administrim, për koncept. Por, në asnjë mënyrë nuk mund t’u jepet të huajve për menaxhim. Së bashku me profesor Neritan Cekën kur kemi qenë bashkë në një debat, ne renditëm një seri arsyesh pse nuk mund t’i jepet një fondacioni privat. Nëse do ndodhë, atëherë ne do kemi për shembull, një fondacion grek që mund të marrë Tepelenën, një fondacion turk që mund të marrë Krujën. Nëse ka nevojë për PPP në fusha të ndryshme , në trashëgiminë kulturore është e rrezikshme për disa arsye, por më kryesore është identiteti, nuk mund t’u jepet të huajve. Por, nuk kemi model tjetër në Evropë. Duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund t’ia dorëzosh trashëgiminë tënde kulturore një kompanie të huaj.” – deklaroi Tare.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *