Kreu i PD-së, Basha, i ka kërkuar qeverisë testime masive për mësuesit në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Kryedemokrati tha se masat e marra nga qeveria janë gjysmake teksa numri i të prekurve nga Covid-19 në vend vijon të mbetet i lartë.
“Shpreh dhe njëherë shqetësimin për masat gjysmake të marra nga qeveria për fillimin e vitit të ri shkollor. Ruajtja e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve duhet të jetë parësore në situatën kur numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë. Për këtë, edhe njëherë i kërkoj qeverisë të nisë urgjentisht testimin masiv të mësuesve para fillimit të vitit të ri shkollor. Identifikimi dhe parandalimi i rasteve me COVID-19 nga stafi pedagogjik është tejet i rëndësishëm për të parandaluar zinxhirin e infektimit. Veç kësaj, procesi mësimor me disa turne e bën të domosdoshme rritjen e numrit të mësuesve në dispozicion të zhvillimit normal të shkollës.” – tha Basha.
Kryedemokrati shtoi më tej se ngarkesa e mësuesve do jetë e madhe e për këtë arsye qeveria duhet të marrë masa për rritjen e shpërblimit për ta. Ai e mbyll reagimin në rrjetet sociale duke thënë se rifillimi i shkollës është proces jetik për vendin e për këtë arsye strukturat shtetërore duhet të kenë impenjim serioz.
“Në kushtet aktuale të zhvillimit të mësimit, çdo mësues do të ketë më shumë ngarkesë për shkak të ndarjes së klasave në disa turne. Ndaj, veç kujdesit për shëndetin, qeveria duhet të marrë masa edhe për rritje të shpërblimit për stafin mësimor. Vetëm vënia në zbatim e këtyre masave do të mund të sigurojë shëndetin e mësuesve dhe nxënësve, si dhe zhvillimin pa ndërprerje të shkollës. Është koha të merren masa urgjente dhe konkrete për të mbrojtur jetën e nxënësve, mësuesve dhe të gjithë shqiptarëve. Rifillimi i shkollës është proces jetik për fëmijët dhe familjet shqiptare, dhe ky proces ka nevojë për kujdes dhe impenjim serioz nga strukturat shtetërore.” – mbyll reagimin Basha.