Revista ‘The Atlantic’ ka marrë kritika në rrjet, pasi përmes një shkrimi kërkoi që Çmimi Nobel për Paqen të mos jepet më asnjëherë, që kur presidenti amerikan Donald Trump u nominua si kandidat për çmimin.
Trump u nominua një herë për shkak të përparimit diplomatik mes Izraelit dhe vendeve arabe të Gjirit. Ndërsa u nominua për herë të dytë dhe për ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dhënia e çmimit të paqes askujt është një traditë që Komiteti Nobel duhet të ringjallë, ndoshta për përherë”- shkroi gazetari Graeme Wood në një artikull.
Ai thotë se rekordi i arritjeve të laureatëve të paqes është aq i paqartë, dhe arsyet për çmimet e tyre aq eklektike, saqë “komiteti duhet të marrë një pushim të gjatë për të shqyrtuar nëse paqja është një kategori koherente e mjaftueshme që vlen të njihet.”
Dhe nominimi i presidentit Trump sipas tij, ndihmon për të kuptuar përse. Por përdoruesit e rrjeteve sociale janë irrituar me kërkesën e gazetarit.
“Graeme Wood dhe Jeffrey Goldberg janë aq të hidhëruar që Trump mori një nominim për Çmimin Nobel për suksesin e tij në paqen arabo-izraelite saqë duan të heqin fare Çmimin Nobel.”– thotë një komentues.
Një tjetër komentues, kujton kur Obama u nominua për çmimin Nobel dhe pyet se pse revista nuk bëri të njëjtën kërkesë që atëhere.