Turqia akuzoi vendet e Bashkimit Evropian se po anojnë “verbërisht” në drejtim të anëtarëve të BE-së, Greqisë dhe Qipros, lidhur me tensionet në Mesdheun lindor.
Ankaraja i bëri thirrje Bashkimit Evropian të braktisë këtë politikë.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, raporton REL, gjithashtu i kërkoi Greqisë të kontribojë në uljen e tensioneve duke mbështetur një iniciativë të NATO-s që synon të zvogëlojë rrezikun e një konflikti të armatosur në det.
Ai tha se Greqia duhet të tërheqë anijet luftarake që po monitorojnë një anije kërkimore turke – e cila poashtu shoqërohet nga anijet luftarake.
Aleatët e NATO-s, Greqia dhe Turqia, kanë vendosur njësitë e forcave detare dhe ajrore në Detin Mesdhe pasi të dyja pretendojnë se gëzojnë të drejtën e kërkimit të gazit natyror në rajon.
Më herët Shtetet jugore të Bashkimit Evropian thanë se do të hartojnë një listë të sanksioneve kundër Turqisë, nëse Ankaraja nuk vjen në tryezën e negociatave për të zgjidhur një mosmarrëveshje territoriale me Greqinë dhe Qipron.
Paralajmërimi u bë të enjten vonë, pas një samiti joformal të të ashtuquajturit grup MED7, i kryesuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Turqia ka shprehur dëshirë për t’u bashkuar me BE-në gjatë pesë dekadave të fundit, por analistët thonë se numri në rritje i mosmarrëveshjeve midis Erdoganit dhe udhëheqësve të bllokut i ka zbehur këto perspektiva.