Ish-deputetja e PD-së Oriola Pampuri, ka vizituar banorët e prekur nga tërmeti në Thumanë. Ajo është ndalur në banesën e Arben Muçës, i cili thotë se nuk ka marrë asnjë lloj ndihmë nga shteti, as bonus qeraje dhe as ushqime.
Që nga 26 nëntori, zoti Muça vazhdon të qëndrojë në çadrën e ngritur tek shtëpia e prindërve të tij, ose tek i biri i cili gjithashtu e ka banesën të dëmtuar.
Ai i tregon ish-deputetes se vetë është i papunë dhe se ka një kredi që duhet ta shlyejë. E vetmja që i ka ardhur në ndihmë është nëna e tij, e cila i ka dhënë gjysmën e pensionit. Vetë Pashke Muça shprehet se edhe shtëpia e saj është e dëmtuar dhe se të vetmen gjë që kërkon nga shteti është një kontenier, pasi kur bie shi i futet uji brenda.
“Jam banor i këtij komuniteti të Thumanës. Quhem Arben Muça. Jemi dëmtuar nga tërmeti shumë. Unë rri te shtëpia e djalit. Djali njërën dhomë e ka të banueshme, hyrja tjetër jo. Eshtë shtëpia pa kolona, është shumë e dëmtuar, kam frikë të jetoj brenda. Rri këtu te nëna në çadër. Nuk përfitoj as bonus, as qira, as ndihmë sociale, as ushqime, as kryq të kuq, asgjë. As kryq të kuq asnjë gjë. Unë si me qenë ndonjë jetim ose mos me qenë shqiptar. Nëna më jep pensionin për të likujiduar kredinë çdo muaj se kanë ardh më kanë sekuestru.”– tregon zoti Muça.
E moshuara Pashke Muça, ka folur gjithashtu me ish-deputeten, të cilës i kërkon një kontenier sa për të mos iu futur uji brenda.
“Unë kërkoj një kontenier se uji i gjithi më futet brenda. Jam pensioniste, jam e sëmurë, jam me tension. Kam shkuar, kam kërkuar kudo s’më kanë sjellë një kontenier të paktën. Le të jetë i përdorur nuk e dua të rri, vetëm mos më futet uji brenda.”– thotë e moshuara.