Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur sot pezullimin e gjyqtares Mimoza Margjeka, pas ndalimit të kësaj të fundit nga policia për një rast të dyshuar korrupsioni.
Margjeka u ndalua bashkë me bashkëshortin e saj dhe tre avokatë, pasi akuzohet se në këmbim të një shume prej 6 mijë eurosh ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj një të burgosuri.
Ajo i ka mohuar akuzat ndaj saj duke thënë se bëhet fjalë për një proces të nxitur politikisht.
Margjeka njihet si gjyqtarja që nuk i dha mandatin Valbona Sakos në bashkinë e Durrësit pas votimeve të 30 qershorit.
Njoftimi
Shqyrtimi i projektrregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit Disiplinor dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, në një procedurë disiplinore”, i përgatitur nga Komisioni Disiplinor.
Shqyrtimi i projektvendimit “Për fillimin e procedurës së përshpejtuar të detyruar të vlerësimit etik dhe profesional viti kalendarik 2019, për gjyqtarët që kanë plotësuar kriteret ligjore të kandidimit për ngritje në detyrë” i përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Etikës dhe Veprimtarisë Profesionale.
Shqyrtimi i projektvendimit “Për pezullimin nga detyra të magjistrates Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, caktuar në skemën e delegimit në Gjykatën e Apelit Korçë”, i përgatitur nga Komisioni Disiplinor.