Vendosni fjalën kyçe....

OBSH raporton një rekord të ri të rasteve ditore me koronavirus


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka regjistruar një rekord një-ditor të numrit të infeksioneve të reja me koronavirus, me plot 307.930 raste të raportuara gjatë 24 orëve.

Agjencia tha se vdekjet po ashtu u rritën me më shumë se 5,500 raste, duke e çuar totalin global të viktimave në 917,417.

Siç shkruan BBC, rritja më e lartë e infeksioneve të reja u raportua në Indi, SHBA dhe Brazil.

Në të gjithë botën ka pasur më shumë se 28 milion raste të konfirmuara, gjysma e të cilave kanë qenë në dy Amerikat.

Rekordi i mëparshëm një ditor për rastet e reja ishte më 6 shtator kur OBSH-ja raportoi 306.857 infeksione të reja.

Ku po rriten rastet më me shpejtësi?

Sipas OBSH-së, India raportoi 94,372 raste të reja të dielën, pasuar nga SHBA-ja me 45,523 dhe Brazili me 43,718.
Më shumë se 1.000 vdekje të reja u regjistruan në SHBA dhe Indi ndërsa Brazili tha se 874 njerëz kishin vdekur nga Covid-19 në 24 orët e fundit.
India ka numrin e dytë më të madh të rasteve të konfirmuara në botë, pas SHBA-ve. Javën e kaluar, India raportoi se kishte regjistruar gati dy milion raste të Covid-19 gjatë muajit gusht, numri më i lartë në botë në një muaj që nga fillimi i pandemisë.

Ky vend ka një mesatare prej 64,000 rastesh në ditë – një rritje prej 84% nga rastet mesatare ditore të shënuara në korrik, sipas të dhënave zyrtare. Numri i të vdekurve ka tejkaluar shifrën 1,000 çdo ditë që nga fillimi i shtatorit.

Ndërsa Brazili ka regjistruar gjithsej më shumë se katër milion raste me koronavirus, shifra e tretë më e lartë në botë. Ky vend ka numrin më të lartë të vdekjeve në Amerikën Latine, me rreth 131,000 deri më tani.

Ndërkohë SHBA ka regjistruar gati një të katërtën e numrit të përgjithshëm të rasteve të koronavirusit në botë – më shumë se gjashtë milion. SHBA ka patur një rritje në numrin e rasteve ditore në korrik, por numrat kanë rënë që nga ajo kohë.

SHBA ka numrin më të lartë të regjistruar të vdekjeve në botë nga Covid-19, me më shumë se 194,000 viktima.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *