Opozita e bashkuar i ka dërguar një letër përfaqësuesit të PS-së në Këshillin Politik, Gjiknuri, lidhur me pjesëmarrjen në mbledhjen e thirrur nga ky i fundit ditën e sotme.
Që në krye të letrës, opozita e bashkuar thekson se PS-ja ka thyer besimin mes palëve pas ndryshimeve të njëanshme kushtetuese duke prishur marrëveshjet e 14 janarit e 5 qershorit.
Në letër theksohet gjithashtu se marrja e vendimeve brenda një rrethi të mbyllur duke përjashtuar opozitën, dëmton stabilitetin demokratik të vendit.
Opozita e bashkuar rithekson se u qëndron marrëveshjeve të 14 janarit e 5 qershorit si rruga e vetme për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe pritshmërisë së tyre për reformën zgjedhore.
Ajo thekson se vijimi i punës në Këshillin Politik do bëhete vetëm mbi bazën e këtyre marrëveshjeve.
Në pjesën e dytë të letrës, dërguar ambasadave të SHBA-së e vendeve të BE-së opozita thekson se do e vijojë angazhimin e saj mbi bazën e marrëveshjeve të lartpërmendura, se kërkon hapjen 100% të listave zgjedhore dhe mosprekjen e formulës së koalicioneve.
Letra e plotë
Partia Socialiste ka ndërmarrë një akt të paprecedentë të dhunimit të besimit mes palëve politike, nëpërmjet ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës për çështje që prekin zgjedhjet, në kundërshtim flagrant me Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit. Kjo gjë vjen në një kohë, kur partitë politike kishin rënë dakord të punonin bashkërisht në Këshillin Politik, i cili u krijua për të siguruar gjithëpërfshirjen dhe konsensusin mes palëve për Reformën Zgjedhore.
Marrja e vendimeve për çështje që prekin zgjedhjet, jashtë Këshillit Politik, në një proces të mbyllur dhe ku u përjashtua Opozita politike e vendit, dëmton stabilitetin demokratik të vendit dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në këtë mënyrë ju shkelët Marrëveshjen Politike të 14 Janarit dhe zotimet e ndërmarra në Marrëveshjen e 5 Qershorit.
Veprimi juaj i njëanshëm është në kundërshtim me Rekomandimin Prioritar Nr. 1 të OSBE-ODIHR, ku theksohet se: ‘Me qëllim forcimin e demokracisë pluraliste, rikonfirmimin e të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisje dhe demonstrimin e përgjegjësisë së përbashkët për integritetin e procesit zgjedhor, partitë politike dhe aktorët e tjerë zgjedhorë duhet të angazhohen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë reformën zgjedhore.’ . Ishte ky Rekomandim që shërbeu si nxitje mes palëve për krijimin e Këshillit Politik, ku të gjitha forcat politike në vend janë të përfaqësuara. Është kusht i Këshillit Europian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE që Reforma Zgjedhore të kryhet në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR dhe në një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Pavarësisht njëanshmërisë suaj dhe shkeljes flagrante te Marrëveshjesse 5 Qershorit dhe 14 Janarit, Opozita e Bashkuar ka treguar dhe rikonfirmon vullnetin e saj për t’i qëndruar dhe respektuar marrëveshjet politike të nënshkruara nga ana jonë.Kjo jo vetëm në respekt të votuesve tanë dhe qytetarëve shqiptarë, por edhe të partnerëve tanë strategjikë që kanë qenë të angazhuar me seriozitet dhe përkushtim, duke filluar me ngritjen e Këshillit Politik dhe gjatë gjithë kohës së funksionimit të tij.
Ndryshe nga Partia Socialiste që synon të minojë dialogun politik, Opozita e Bashkuar, është e vendosur për të respektuar vullnetin e qytetarëve dhe interesin më të mirë të Shqipërisë, për një Reformë Zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, në përgjigje edhe të apelit të vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtarë dhe, mbi të gjitha, për shkak se kjo çështje lidhet drejtpërdrejtë edhe me procesin e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimi Europian.
Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe Marrëveshjes së 14 Janarit dhe, pavarësisht provokimeve të herëpashershme që bëhen nga ana e Partisë Socialiste, jemi të palëkundur në vullnetin tonë për respektimin e këtyre marrëveshjeve, si rruga e vetme për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe pritshmërisë që ato kanë nga Reforma Zgjedhore.
Për të gjitha sa më sipër, duke shprehur qëndrimin e detajuar bashkëlidhur kësaj shkrese, konfirmojmë se:
Vijimi i punës në Këshillin Politik duhet të kryhet në mirëbesim mes palëve, duke respektuar Marrëveshjet politike të nënshkruara më parë, të 14 Janarit dhe 5 Qershorit, si dhe standartet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Nën këtë premisë, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e radhës, ditën e hënë, ora 18.00.
Në përfundim, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se gjithëpërfshirja dhe konsensusi në përcaktimin e rregullave të garës elektorale kontribuon në krijimin e një klimë të stabilizuar politike përpara zgjedhjeve të radhës dhe rrit shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Këto duhet të jenë qëllimet përbashkuese të të gjitha partive politike në Shqipëri. Partia Demokratike dhe Koalicioni i Opozitës së Bashkuar është i vendosur për ta ruajtur këtë qëllim sic ka bere deri tani duke kontribuar ne arritjen e konsensusit per miratimin e rregullave zgjedhore.
NË EMËR TË OPOZITËS SË BASHKUAR
Përfaqësuesit në Këshillin Politik
OERD BYLYKBASHI PETRIT VASILI
Për dijeni: Ambasadës së SHBA-së në Tiranë
Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë
Ambasadave të vendeve anëtare të BE-së në Tiranë
Zyrës së OSBE-së në Tiranë
Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë
QËNDRIM I DETAJUAR MBI VIJIMIN E PUNËS NË KËSHILLIN POLITIK
Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, duke mbajtur në konsideratë se:
- Respektimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim dhe përshëndetur nga partnerët strategjikë të Shqipërisë;
- Kushti i Këshillit Europian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit është realizimi i Refomës Zgjedhore në përputhje me standartet e OSBE-ODIHR, ku gjithëpërfshirja dhe konsensusi në përcaktimin e rregullave të garës elektorale ka rëndësi themelore;
- Komisioni i Venecias ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm, me standardet dhe opinionet e tij, në realizimin e çdo Reforme Zgjedhore në vendin tonë;
ju bën me dije sa më poshtë:
- Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk përfshihet në asnjë proces që cënon Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe rihap diskutimet nga e para për çështje që janë dakordësuar mes palëve dhe që tashmë janë LIGJ. Formula aktuale e koalicioneve parazgjedhore dhe për rrjedhojë formula e shpërndarjes së mandateve, është pjesë e ligjit nr. 101/2020, datë 23.07.2020, që kodifikoi Marrëveshjen e 5 Qershorit, veçanërisht në nenet 19 dhe 36, ku parashikohen koalicionet parazgjedhore të partive politike, që konkurojnë në zgjedhje me lista të veçanta dhe mënyrën e ndarjes së mandateve brenda koalicionit. Për Opozitën këto dispozita ligjore janë të pandryshueshme.
- Rikonfirmojmë se jemi dakord me hapjen 100 % të listave të kandidatëve dhe për këtë çështje jemi të gatshëm të vijojmë punën në Këshillin Politik, me përgjegjshmëri maksimale. Risjellim në vëmendjen tuaj se në Opinionin e Komisionit të Venecias, Kushtetuta në fuqi, e pa ndryshuar, nuk ndalon aplikimin e mekanizimit me lista të hapura. Konkretisht, në Opinionin e datës 12-13 Dhjetor 2008 të Komisionit të Venecias ‘Mbi amendamentet kushtetutes të Republikës së Shqipërisë, të 21 Prillit 2008’, theksohet qartë se: ‘Në paragrafin 1 të nenit 68, parashikohet që renditja e kandidatëve në listat shumëemërore nuk mund të ndryshohen pas paraqitjes së listës në komisionin përkatës zgjedhor. Është me të vërtetë e mirëpritur që subjektet propozuese nuk mund të ndryshojnë më pas renditjen e kandidatëve pasi të jetë paraqitur lista. Formulimi i kësaj fjalie nuk duket se përjashton drejtpërdrejt që votuesit mund të ndikojnë në renditje (sistemi i listave të hapura), por qëllimi i ligjvënësit shqiptar në të vërtetë duket se do të aplikojë një sistem me listë të mbyllura dhe kjo çështje është sqaruar në ligjin zgjedhor.’ .
- Hapja e listave nuk ka asnjë lidhje kushtetutese, ligjore apo praktike, me formulën ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe ndarjen e zonave zgjedhore. Hapja e listave ka të bëjë me garën brenda vetë një partie politike. Koalicionet janë një mekanizëm ligjor që garanton mundësinë e partive politike për t’u grupuar sëbashku dhe për të ruajtur të padeformuar vullnetin e qytetarëve dhe votat e tyre brenda koalicionit. Rregullat për koalicionet parazgjedhore janë të lidhura drejtpërdrejt me garën elektorale mes palëve dhe janë mekanizëm që ndikon në rezultatin e zgjedhjeve mes palëve.
Formula aktuale ligjore e koalicioneve zgjedhore dhe ndarja e mandateve, është bërë me konsensus mes palëve, si dhe i ka rezistuar reformave zgjedhore të vitit 2002, 2008 dhe 2012. Ajo është tërësisht në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me standardet më të mira europiane. Vlen të kujtohet këtu se formula e koalicioneve zgjedhore dhe ndarja e mandateve, që Shqipëria ka aktualisht në Kodin Zgjedhor, ka kaluar testin e certifikimit nga Komisioni i Venecias në Opinionin e Përbashkët mbi ‘Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë’, miratuar nga Komisioni i Venecias në 13-14 Mars 2009, duke marrë kështu konfirmimin se nuk ka asnjë mospërputhje me standardet demokratike të zgjedhjeve dhe standardet e vendeve të OSBE-ODIHR. Për më tepër, kjo formulë e koalicioneve parazgjedhore, është aplikuar në Shqipëri prej rreth 17 viteve, pavarësisht nga sistemi zgjedhor që ka qenë i aplikueshëm, dhe nuk ka shfaqur kurrë asnjë problem dhe nuk ka asnjë shqetësim të ngritur nga Raportet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR apo Rekomandim nga OSBE-ODIHR për ndryshime të formulës ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve.
Qëndrimi i Partisë Socialiste, i shprehur edhe me shkrim përmes ekspertëve ligjor të caktuar nga Parlamenti, është që ndryshimi i njëanshëm kushtetutes ‘nuk bën vetë dhe as nuk urdhëron ndalimin e koalicioneve zgjedhore nga ligji……Dispozita ka një lëndë të përcaktuar qartë dhe kjo lëndë ka lidhje me regjistrimin e kandidatëve, jo me përcaktimin e subjekteve zgjedhore. Formulimi i dispozitës liston subjektet që lejohet të regjistrojnë kandidatë. Këto janë zgjedhësit dhe partitë politike. Një koalicion zgjedhor përbëhet nga dy ose më shumë parti politike. Në këndvështrim sintaksor, dispozita nuk pengon dy ose më shumë parti politike që të regjistrojnë kandidatë, d.m.th. nuk pengon një koalicion zgjedhor të regjistrojë kandidatë’.
- Për Opozitën e Bashkuar rregullat e garës elektorale mes palëve nuk mund të ndryshohen 5 muaj përpara datës së regjistrimit në zgjedhje dhe qëndrueshmëria e ligjit është esenciale për cilësinë e zgjedhjeve, sipas standardeve të Komisionit të Venecias dhe të OSBE-ODIHR. Jemi jo më larg se 5 muaj nga momenti i regjistrimit në zgjedhjet e ardhshme dhe për pasojë, çdo ndryshim i rregullave të garës elektorale mes palëve, do të ishte antikushtetutes, për shkak se cënon parimin e sigurisë juridike, veçanërisht pritshmërinë e ligjshme të partive politike për t’u organizuar në zgjedhje sipas rregullave të shpallura dhe të njohura paraprakisht, mjaftueshëm përpara regjistrimit në zgjedhje (1 vit përpara datës së zgjedhjeve).
Ky është një standart ndërkombëtar i përcaktuar nga Komisioni i Venecias, i cili në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore, thekson shprehimisht se: ‘Qëndrueshmeria e ligjit ka rëndësi kritike për besueshmërinë e proçesit zgjedhor, i cili është me rëndësi jetike për konsolidimin e demokracisë. Praktikisht nuk ka shumë nevojë për mbrojtjen e parimeve bazë (ka pak të ngjarë që të ketë diskutime për to), por qëndrueshmeria e disa rregullave specifike të ligjit elektoral, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me vetë sistemin elektoral dhe hartimin e kufinjve të zonave zgjedhore, që me apo pa të drejtë, konsiderohet si faktor vendimtar për rezultatet e zgjedhjeve, duhet të tregohet kujdes jo vetëm për shmangien e manipulimeve në favor te partisë në pushtet, por edhe çdo perceptim, sado i vogël, për manipulim. Problemi nuk konsiston në ndryshimin e sistemeve zgjedhore – ato gjithmonë mund të ndryshojnë duke u përmirësuar – por tek rishikimi i tyre i shpeshtë ose përpara (brenda një viti) zgjedhjeve. Edhe sikur qëllimi të mos jetë manipulimi, përsëri do të duket sikur ndryshimet jane diktuar nga interesat konjukturale politike……Një zgjidhje tjetër më fleksibël do të ishte të theksohej në Kushtetutë se, nëqoftëse do të ndryshohet ligji elektoral, për zgjedhjet e ardhshme do të aplikohet sistemi i vjetër – të paktën nëqoftëse këto zgjedhje do të zhvillohen brenda vitit të ardhshëm – dhe pas kësaj do të hyjë në fuqi sistemi i ri.’.
Në Deklaratën Interpretuese të këtij standardi, Komisioni i Venecias në Opinionin e tij CDL-AD (2005)043 , thekson se: ‘Ky parim ka të bëjë vetëm me rregullat themelore të së drejtës zgjedhore, kur ato paraqiten në ligjin e zakonshëm. Në veçanti, në vijim konsiderohen rregulla themelore: sistemi zgjedhor i duhur, d.m.th rregullat që lidhen me shndërrimin e votave në mandate; si dhe përcaktimi i kufijve të zonave elektorale dhe rregullave në lidhje me shpërndarjen e mandateve midis zonave elektorale. Në përgjithësi, çdo reformë e legjislacionit zgjedhor që të zbatohet gjatë zgjedhjeve duhet të ndodhë mjaftueshëm përpara që ajo të jetë me të vërtetë e zbatueshme për zgjedhjet.’.
Tiranë, më 14.09.2020