Treguesit e përfshirjes në arsim kanë ardhur në përkeqësim në Shqipëri, pasi përqindja e fëmijëve që ndjekin e arsimin 9-vjecar dhe të mesëm ka rënë në raport me popullsinë në grupmoshën e shkollimit.
Sipas të dhënave të INSTAT shkalla e pjesëmarrjes ne arsim e fëmijëve në nivelin 9-vjeçar që i përkasin grupmoshës zyrtare te shkollimit (treguesi NER) ishte gjatë vitit të kaluar 93,9, ndërsa në vitin 2018 ky tregues ishte 95.6.
Kjo statistike tregon se në vitin 2019 nga 100 fëmijë që kanë moshën dhe detyrimin për të ndjekur arsimin 9-vjecar, shkojnë në shkollë vetëm 94 fëmijë nga më shumë se 95,6 qind që ishte pjesmarrja në vitin 2018.
Rënie të ngjashme ka pasur edhe tek të rinjtë që ndjekin e arsimin e mesëm. Vitin e kaluar e ndoqën këtë nivel 76.2 për qind e të rinjve të grupmoshës që i takojnë këtij niveli arsimor në raport me 77.4% që ishte ky tregues në vitin 2018.
Ky tregues, që përfaqëson braktisjen e shkollës, vjen duke u përmirësuar në vendet me prosperitet dhe rritje ekonomike. Një kthim pas lajmëron një perspektive jo të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
UNICEF vlerëson se braktisja e shkollës në Shqipëri ka si shkak varfërinë e skajshme, nivelin e ulët të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet e popullatës, migrimet etj.
Ndikim në braktisjen shkollore ka niveli arsimor i prindërve të fëmijëve, lëvizjet demografike gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, emigracioni individual e familjar, prindërit e shkurorëzuar, dhuna në familje (dhuna në çift dhe ajo ndaj fëmijëve nga një prind apo nga të dy prindërit), humbja e njërit prej prindërve apo e të dyve, mentaliteti i prindërve për arsimimin e vajzave, ngujimi për shkak të gjakmarrjes apo hakmarrjes etj.
Shumë nxënës braktisin shkollën si pasojë të problemeve sociale. Fëmijë nga familje të ndryshme, kryesisht romë dhe egjiptianë, por jo vetëm të tillë, mbeten pa u regjistruar në shkollë, i shmangen shkollës për shkak të zhvendosjes familjarisht nga një qendër banimi në një tjetër, për shkak të emigrimit të njërit prej prindërve, të të dy prindërve ose të gjithë familjes në vendet fqinje apo dhe më larg etj.
Nga studimet është vënë re se ushtrimi i dhunës në shkollë çon në braktisjen e shkollës nga nxënës të cilët janë shpesh viktima të dhunës së ushtruar nga bashkëmoshatarët, por edhe të atyre që ushtrojnë dhunë. Këta të fundit kanë tendencë të përfshihen në banda kriminale adoleshentësh, të cilat përfshihen në vjedhje apo krime të tjera.
Edhe braktisja e fshehtë favorizon braktisjen shkollore. Lënia në hije, duke mos i aktivizuar të gjithë nxënësit, sidomos ata me vështirësi në të nxënë, i shkurajon nxënësit, i bën ata të humbasin besimin në aftësitë e tyre, të mbyllen në vetvete dhe të mbeten të papërfshirë edhe në veprimtari mësimore apo jashtëshkollore ku mund të shfaqin aftësi personale e interes për të nxënës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor