Microsoft ka deklaruar se oferta e tij për të blerë aplikacionin e TikTok është refuzuar, duke i hapur rrugën kompanisë tjetër Oracle të bëjë një ofertë.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka dhënë si afat datën 15 shtator për aplikacionin kinez, për t’u shitur ose mbyllur.
Administrata e Trump pretendon se TikTok dhe aplikacionet e tjera kineze përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Dy kompanitë Microsoft dhe Oracle udhëhoqën garën për të blerë TikTok-un nga firma kineze ByteDance.
Wall Street Journal dhe Reuters kanë raportuar se Oracle, e cila u shet teknologji të bazave të të dhënave dhe sisteme cloud bizneseve, kishte fituar luftën për ofertat. Por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas raporteve të mëparshme, Oracle po mendonte seriozisht të blinte bizneset e TikTok në SHBA, Kanada, Australi dhe Zelandën e Re.
Një zëdhënës i TikTok i tha BBC-së se firma nuk ishte “duke komentuar as zhvillimin e Microsoft dhe as spekulimet e Oracle”.
Çfarë tha Microsoft?
Të dielën Microsoft njoftoi se “ByteDance na tregoi sot se ata nuk do të shesin operacionet e TikTok në SHBA te Microsoft. Ne jemi të bindur që propozimi ynë do të kishte qenë i mirë për përdoruesit e TikTok, duke mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare “.
“Ne shpresojmë të shohim se si evoluon shërbimi në këto zona të rëndësishme”- thuhet më tej në deklaratë.
Kjo i hap rrugën Oracle, për të cilën presidenti Trump tha se do të ishte “një kompani e shkëlqyer” për të marrë përsipër operacionet e TikTok në SHBA.
E gjithë kjo po ndodh sepse presidenti Trump urdhëroi ByteDance të shesë biznesin e tij të TikTok në SHBA brenda 90 ditësh ose të përballet me mbylljen.