Të tjera detaje bëhen me dije lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Rrogozhinë, ku herët në mëngjes u gjet i vrarë brenda automjetit të tij një 33-vjeçar.
Siç shihet nga pamjet, zona ku është gjetur i riu është pa kamera, një rrugë e pashtruar dhe mes arave, ku nuk ka as banesa të tjera.
Sipas televizionit “News 24”, mjeti tip “Fiat Punto” me të riun brenda të vrarë, u pikas nga një banor i zonës, i cili kishte dalë që herët në mëngjes për të shitur qumështin.
Automjeti ishte i ndaluar rreth 200 metra larg banesës së tij 3-katëshe.
Pranë vendit të ngjarjes është gjetur një pistoletë, më të cilën nuk ishte kryer asnjë e shtënë. Banorët e zonës po ashtu kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë arme, ndërsa në trupin e 33-vjeçarit është gjetur vetëm një plumb.
Paraprakisht policia dyshon se për vrasjen është përdorur një armë silenciator.
33-vjeçari Klevis Kapllani ishte i martuar dhe baba i një fëmije 2 muajsh. Ai rezulton se ka qenë i dënuar më parë në Itali për lëndë narkotike, por prej dy vitesh që ishte kthyer në Shqipëri nuk kishte patur probleme.