Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson fiton votimin për shkeljen e Paktit të Brexit-it


Kryeministri britanik Boris Johnson ka fituar të hënën votimin e parë nga disa votime në planin e tij për të thyer traktatin e Brexit, por po përballet me një rebelim në rritje midis deputetëve që thonë se shkelja e ligjit ndërkombëtar do të njollosë reputacionin e Britanisë.

Johnson, i cili ka një shumicë prej 80 vendesh në Dhomën e Komunave, siguroi miratimin e të ashtuquajturit votim paraprak të Projektligjit për Tregun e Brendshëm, me 340 pro dhe 263 kundër.

BE-ja thotë se projekt-ligji i kryeministrit Johnson do të prishë bisedimet tregtare dhe do ta çojë Mbretërinë e Bashkuar drejt një Brexiti të pakontrolluar, ndërsa ish-udhëheqësit britanikë kanë paralajmëruar se shkelja e ligjit është një hap i tepërt.

Megjithatë Johnson, thotë se është thelbësore kundërshtimi i kërcënimeve “absurde” nga Brukseli duke përfshirë idenë që Londra të vendosë pengesa tregtare me Irlandën e Veriut dhe të imponojë një bllokadë ushqimore – hapa që sipas tij kërcënonin unitetin e Mbretërisë së Bashkuar.

“BE-ja ende nuk e ka hequr atë fishek nga tavolina”– i tha kryeministri Johnson Parlamentit para votimit sipas Associated Press. “Ajo që nuk mund të bëjmë tani është të tolerojmë një situatë ku homologët tanë të BE-së të besojnë seriozisht se kanë fuqinë për të shkatërruar vendin tonë.”

BE ka kërkuar që Britania të heqë pjesën kryesore të projektligjit deri në fund të shtatorit dhe se nëse nuk e bën një gjë të tillë, nuk do të ketë marrëveshje tregtare në fund të vitit që do të mbulonte gjithçka, nga pjesët e makinave e deri te ushqimi.

Për të mbështetur mesazhin e tij, Komisioni Evropian ka vonuar një vendim thelbësor për lejimin e Londrës që të vazhdojë pastrimin e transaksioneve euro për klientët me bazë në BE.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *