Ministrja e Financave, Denaj, ka thënë sot se futbolli nuk mund të përdoret si mjet shantazhi.
Reagimi i saj vjen pas vendimit të Ligës Profesioniste për të pezulluar rinisjen e kampionatit të futbollit deri ë plotësimin e kërkesave.
Në reagimin e saj, Denaj tha se qeveria ka marrë disa vendime në dobi të sportit e futollit në vend duke përmendur disa prej tyre.
“Dje nuk ka pasur një komunikim dhe sot dalim publikisht për dy arsye. E para për kërkesat dhe çfarë ka bërë qeveria Rama për sportin në vitin e fundit. Futbolli nuk mund të jetë mjet shantazhi. Kërkesat për investim janë. Nuk është viti i duhur, nuk e pranuam as vjet. Nuk e kemi pranuar edhe vjet. Në ligjin e tatimit të të ardhurave kemi miratuar dy ndryshime. Kemi rritur nga 3 në 5 për qind shumën e zbritshme. Së dyti, për çdo kompani me shpenzim mbi 100 milionë lek, njohim trefishin e sponsorizimit. Kjo është një zgjidhje për financim të shëndetshëm.” – tha Denaj.
Më tej numri një i Financës shtoi se disa prej kërkesave të klubeve të futbollit nuk mund të plotësohen duke i shpjeguar një për një.
“Kemi folur për formalizim. Është një përpjekje e qeverisë prej ditës së parë. Kemi folur për informalitetit në tregun e punës, ku nuk bën përjashtim as futbolli. Kuptojmë nevojën për kohë dhe kemi miratuar që për dy vite të mos njihet tatimi mbi pagën. Kërkesa është që të bëhet 10 vite, por është një kohë shumë e gjatë. Kërkesa e tretë është ajo e faljes së kamatave. Ndihemi krenarë që për energjinë, që u formalizua dhe e justifikoi faljen e kamatëvonesave. Jemi të hapur për të diskutuar. Kërkesa tjetër lidhet me TVSH-në, nga 20 për qind në 6 për qind. E kemi miratuar këtë vit për të gjitha ndërtimet në ambiente sportive. Të kërkosh për çdo shërbim, bëhet fjalë për një kërkesë shumë të zgjeruar.” – vijoi Denaj.
Liga Profesioniste njoftoi para pak ditësh se klubet nuk do ktheheshin në fushë për të nisur kampionatin deri në plotësimin e kërkesave që i kanë dërguar qeverisë. Vendimi i saj u miratua nga Federata Shqiptare e Futbollit pak ditë më pas.