Numri dy i PS-së, Balla, pohoi sot se nuk sheh arsye për ndryshime në qeveri.
Ai theksoi se shumica do futej në garë për mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 prillit dhe pas kësaj kryeministri Rama mund të bënte ndonjë ndryshim në qeveri.
“Nuk është larg momenti kur të marrim mandatin e tretë dhe sigurisht në mandatin tjetër mund të kishte ndonjë ndryshim tjetër megjithatë kjo vendimmarrje i takon kryeministrit. Ne kemi një plan, një program dhe një matricë vlerësimi të performancës për çdo fushë që mbulon secila prej ministrive. Unë nuk gjej arsye të mendoj për ndryshime të thella në qeveri. Nëse do bënim një skaner në çdo ministri, në të gjithë sektorët është bërë një punë e shkëlqyer. Ndryshimet në qeveri janë një thashethem i vazhdueshëm në media. Nuk shoh arsye për ndryshim në ekipin e ministrave.” – tha Balla.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News 24, kreu i grupit parlamentar komentoi edhe lajmet mbi largimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm.
Ai e përshkroi atë si ministër me shumë suksese duke numëruar disa prej arritjeve sipas tij. Ndërsa theksoi se PS-ja do marrë më shumë se 74 mandate në zgjedhjet e ardhshme.
“Ministri Lleshaj është një ministër me shumë suksese në krye të kësaj ministrie. Prej 2 vitesh, plotësohen në tetor, në krye të kësaj ministrie dhe ka përballuar me sukses disa prej sfidave dhe rezultatet e deritanishme në të gjithë indikatorët dhe një ndryshim rrënjësor në mënyrën e mbulimit dhe organizmit të Policisë së Shtetit. Gjej rastin ta vlerësoj dhe mbështes. Fakti që në Ministrinë e Brendshme nuk do të jetë një drejtues qarku politik por një ministër që do të jetë i fokusuar në procesin e administrimit zgjedhor është i rëndësishëm. Unë kam besimin që jo vetëm do konfirmojmë numrin 74 të mandateve por do shtojmë mbështetjen dhe numrin e deputetëve të PS-së.” – theksoi ai.