Anëtarja e re e qeverisë, Kushi, e ka quajtur një përgjegjësi të jashtëzakonshme emërimin e saj në krye të Ministrisë së Arsimit.
Në një mesazh në rrjetet sociale, ajo shkruan se ndodhet para një provimi të vështirë në detyrën e re.
“Të dashur miq, Ju falenderoj pa masë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Kur mora doktoraturën në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh!” – shkruan ajo.
Kushi shton më tej se do bëjë githçka për të nderuar qytetin e saj, PS-në dhe kryeministrin Rama në detyrën e re që i është besuar.
“Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve. Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve!” – mbyll reagimin e saj, Kushi.