Vendosni fjalën kyçe....

Nesër shpallet fituesi ndërtimin e tunelit të Llogarasë, Balluku: Dy kompani në garë


Nesër pritet të shpallet fituesi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha në një konferencë se procesi i tenderimit duhet të nisë brenda këtij viti.

Ministrja u shpreh se “janë impresionuese dhe shumë të rëndësishme të dy projektet e paraqitura. Nga 7 kompani në garë, kanë kaluar këto dy konsorciume që kanë një eksperiencë të gjatë në fushën e ndërtimit të tuneleve dhe janë të interesuara për të ndërtuar në Shqipëri”.

Zonja Balluku tha se dy elementët kryesore, që u nënvizuan edhe nga kompanitë, janë siguria rrugore dhe eficenca e kostos.

“Dua të them që siguria rrugore për ne është e rëndësishme. Në të dyja prezantimet kjo ishte diçka që u nënvizua nga të dyja studiot projektuese. Unë shpresoj që kur juria të kaloi edhe në një diskurs më të thellë të merret parasysh edhe eficenca e kostos. Duhet të garantojmë sigurinë rrugore përmes një investimi që duhet të jetë eficent. Zona e Llogarasë nuk kërkon vetëm një zgjidhje infrastrukturore por edhe një zgjidhje interesante arkitekturore, duke qenë se Llogaraja është një nga pikat më të rëndësishme turistike.

Është një park kombëtar i mbrojtur, që është edhe dera hyrëse për pjesën më të bukur të Shqipërisë. Juria duhet të vazhdojë punën pa prezencën tonë dhe shpresoj që të dilni me rezultat sa më shpejt.

Do të na duhet të nisim sa më parë, mundësisht brenda këtij viti, procesin e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, i cili do të bëhet me fonde të buxhetit të shtetit, duke iu referuar partnerëve tanë ndërkombëtare. Koha për ne është e rëndësishme.

Prandaj do të kërkoja nga ana e jurisë impenjim të plotë dhe nga ana e dy konsorsjumeve për të dhënë të gjitha detajet që juria ka nevojë. Nesër do të presim emrin e fituesit dhe për ti hapur rrugë qeverisë për ndërtimin e këtij tuneli”, tha ministrja Balluku.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *