Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë një hua prej 1.5 miliard dollarësh Bjellorusisë, në takimin ballë për ballë me liderin bjellorus Alexander Lukashenko.
Ky takim në Soçi është i pari mes dy homologëve që kur shpërthyen protestat anti-Lukashenko në Bjellorusi muajin e kaluar.
Zgjedhja e Lukashenkos në 9 gusht është vënë në diskutim, me vende si Lituania, Letonia dhe Estonia që kanë vendosur masa për ndalim të udhëtimit drejt vendeve të tyre të presidentit bjellorus.
Putin tha “ne duam që vetë Bjellorusët… ta zgjidhin këtë situatë me qetësi dhe përmes dialogut”. Bjellorusët duhet të “gjejnë një zgjidhje të përbashkët“, shtoi ai, citon BBC.
Liderja e opozitës bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya deklaroi nga arratia se ndjen keqardhje për “dialogun e Putinit me një diktator”.
Presidenti rus e njeh Lukashenkon si udhëheqësin legjitim të Bjellorusisë, por mijëra bjellorusë kanë protestuar në Minsk për pesë të diela me radhë kundër tij.
Putin thotë se ai ka një forcë policore ruse gati për të ndërhyrë nëse protestat dalin jashtë kontrollit. Dhe në Soçi ai përsëriti rëndësinë e bashkëpunimit të mbrojtjes me Bjellorusinë.