Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj e pranon: Policia dështoi në parandalimin e atentatit ndaj Preng Gjinit


Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj ka pranuar mbrëmjen e kaluar në një program televiziv, se Policia e Shtetit ka dështuar në parandalimin e atentatit në Tiranë ndaj Preng Gjinit.

“Duhet ta pranojmë se policia e shtetit ka dështuar në parandalimin e kësaj ngjarje. Këto janë ngjarje që kanë një parahistori. Është iluzore të pretendojmë se do të parandalojmë të tilla gjëra se do ishim i vetmi vend në botë që do e bënte këtë. Këto grupe (kriminale) kanë mjetet e tyre, eksplozivet janë një nga këto. Grupet kanë ekzistuar, janë rralluar sepse janë ndëshkuar, por nuk përjashtoj ekzistencën e celulave të tilla. Kemi 330 raste armësh të kapura, çështja është që të vendosim gjithë mekanizmat që të minimizojmë veprimtarinë e tyre”, tha Lleshaj, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Open”.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja lidhet me sagën e gjatë të hakmarrjes mes dy fiseve në Rrëshen, ku përfshihet ekzekutimi me snajper i Kastriot Reçit.

Ministri Lleshaj u pyet nga gazetarja lidhur me këtë, duke e pyetur se ku gaboi policia në zbulimin e atentatorit të vrasjes së Kastriot Reçit, megjithëse më herët kishin deklaruar se ishin afër zbardhjes së ngjarjes.

BISEDA NË STUDIO

Gazetarja: Keni thënë shpesh se ishin afër zbardhjes së vrasjes së Kastriot Reçit. Shërbimet Sekrete kanë hedhur alarmin se grupet kriminale po eliminojnë njëri-tjetrin. Ku dështoi policia në zbardhjen e vrasjes së Kastriot Reçit?
Sandër Lleshaj: Është e pavend që unë të merrem më këtë ngjarje. Nuk duhet të bëjmë lidhje, pasi ende ngjarja është e pazbardhur, por kam thenë se jemi shumë afër. Kishim një pistë, por në momentin e fundit, devijoi. Të mos bëjmë hetim publik për ngjarjet. Nuk mund të flas me emra dhe të bëj ndërlidhje. Ju po thoni që kjo që ka ndodhur është shpagimi për vrasjen e Reçit?
Gazetarja: Kështu dyshon prokuroria, flitet për hakmarrje.
Sandër Lleshaj: Këto janë hipoteza, edhe pse nuk përjashtohen.
Gazetarja: A ka një grup të caktuar kriminal që bën vrasje me lëndë plasëse?
Sandër Lleshaj: Grupet kriminale përdorin çdo mjet që kanë në dispozicion. Shqipëria ka një arsenal të madh eksplozivi të paligjshëm. Ka patur jo një grup, por shumë grupe. Por ka edhe celula të tjera, është një biznes kriminal. Kemi disa raste.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *