Ekonomisti Endrit Yzeiraj ka bërë një pasqyrë të zhvillimit ekonomik në Shqipërinë postkomuniste, duke shpjeguar me fjalë të thjeshta për publikun se si mund të dalim nga kjo fazë stanjacioni në të cilën ndodhet Shqipëria.
Në një intervistë për portalin Gogo.al të gazetares Valmora Gogo, Yzeiraj ka shpjeguar ecurinë e zhvillimit ekonomik në tre dekadat e Shqipërisë pas viteve ’90.
Yzeiraj tha se dekada më e mirë për shtetin shqiptar ka qenë padyshim ajo nga viti 1998 deri në 2008-ën, ndërsa pas vitit 2010 vendi ka hyrë në stanjacion.
Në një intervistë ndryshe nga më parë, Yzeiraj ka shpjeguar se pse një vend zhvillohet më shumë se një vend tjetër.
Sipas tij, faktorët politikë janë përcaktuesit kryesorë të zhvillimeve ekonomike dhe që një vend të ketë qarkullim ekonomik, duhet të ketë patjetër qarkullim politik, diçka që mesa duket tek ne mungon duke qenë se kemi mbetur për një dekadë në stanjacion. Kjo çështje shpjegohet më poshtë.
Një nga çështjet më të diskutuara përsa i përket ekonomisë në vend, janë taksat. Shqiptarët ankohen për taksa të larta, politikanët në çdo fushatë premtojnë ulje taksash. Vijon ende debati Taksë e Sheshtë apo Progresive. Por Yzeiraj e konsideron të gjithë këtë debat qesharak, pasi sipas tij Shqipëria nuk ka patur kurrë probleme me nivelin e taksave.
Vendi në stancjacion prej një dekade
“Flitet herë pas here sikur të 30 vitet kanë qenë shumë të ngjashme. Në fakt nuk është kështu, të treja dekadat e Shqipërisë pas viteve ’90 kanë veçoritë e tyre politike dhe për rrjedhojë dhe veçoritë e tyre ekonomike.
Dekada e parë karakterizohet nga një periudhë e vështirë, teksa ekonomia dhe sipërmarrjet e ndryshme komuniste falimentonin dhe njerëzit rigjenin vendet e tyre në jetë, në shoqëri. Vitet e para kanë qenë shumë të vështira për familjet shqiptare.
Nga viti 1998, unë them deri në 2008-ën, disa mund të thonë dhe 2011-ën, ekonomia shqiptare pëson një periudhë zhvillimi. Është padiskutim dekada më e mirë e shtetit shqiptar. Rritja ekonomike ka qenë mbi 6%. Që prej atij momenti, rritja ekonomike ka qenë nën 3%. Pavarësisht problemeve që kishte, vendi po zhvillohej, po ecte.
Pas 2008-ës kemi një periudhë stanjacioni, të ngadaltë dhe pak a shumë në periudhën 2010-2020 ekonomia shqiptare hyn në një stanjacion të gjatë dhe të vazhdueshëm. Ka momente të vogla rritjeje që fillojnë e përfundojnë pas 1 dhe 2 vitesh.
Për mua kjo është një nga zhvillimet më të rëndësishme politike e ekonomike shqiptare, që nuk diskutohet shumë.”– thotë Yzeiraj.
Qarkullim ekonomik baraz me qarkullim politik
“Është gjithmonë e vështirë të shpjegosh se pse një vend zhvillohet më shumë se një vend tjetër. Por nëse ka një teori, që në 10-15 vitet e fundit ka zënë gjithnjë e më shumë vend në departamentet kryesore të studimeve ekonomike në botë, është pikërisht fakti që ‘faktorët politikë janë përcaktuesit kryesorë të zhvillimeve ekonomike.’
Dhe kur themi faktori politik nuk nënkuptojmë detyrimisht ide të majta apo të djathta, por sisteme të hapura, konkurente, po themi demokratike në vija të përgjithshme. Vendet ku ka konkurencë të madhe politike, ku elitat politike vazhdimisht ndryshohen, kur një grup politik nuk e mban dot pushtetin në mënyrë të vazhdueshme, janë vende që kanë zhvillim ekonomik të kënaqshëm në periudha afatgjata. Nëse një klasë politike çimentohet, do të favorizojë një klasë ekonomike, që janë njerëz me të cilët punojnë dhe janë të lidhur ata. Që të ketë zhvillim ekonomik duhet të ketë njerëz të rinj në treg, që sjellin ide të reja dhe frymëzojnë të tjerët të punojnë akoma më fort.
Që të ndodhë ky qarkullimi ekonomik, duhet të ketë një qarkullim politik.”– shpjegon eksperti i ekonomisë.
Debati qesharak për taksat
“Taksat janë kthyer në një debat gati qesharak në Shqipëri. Ka patur një moment që taksa e sheshtë pati një vlerë për Shqipërinë, është e vërtetë që të ardhurat tatimore u rritën. Por nëse pyet bizneset dhe politikanët e përfshirë në përpjekjet për ndryshimin e sistemit tatimor, arsyeja pse pati një zhvillim për bizneset ishte se kur u bë kjo politikë, u eliminua loja e ndryshimeve të shpeshta të taksave që bëhet tani për të kompesuar probleme të ndryshme të buxhetit.
Çfarë ndodh tani që u hoqën taksat e sheshta? Në 1 vit, x biznesmen lobon tek qeveria dhe i thotë taksat e mineraleve mi ul. Nga 10% i bën përshembull 8% ose më pak. Por e gjitha kjo shkakton boshllëk në buxhet. Çfarë ndodh? Pa pritur fare vitin tjetër, në mes të vitit me akte normative ndryshohet sërish buxheti dhe më pas taksat e pijeve energjike rriten me 2% që ky boshllëk të fillojë të kompesohet. Këta ankohen më pas se kanë probleme, e i ulet atyre por i rritet dikujt tjetër.
Kjo është një lloj ankandi për korrupsion. Kur çdo lloj takse vihet në diskutim, atëhere çdo grup nis të lobojë. Problemi i taksave në Shqipëri nuk ka qenë niveli, por kur hap lojën e ndryshimeve të gjithë sulen për ta hequr taksën nga vetja e për t’ja çuar tjetrit. Në Shqipëri niveli i taksave nuk është i lartë.” – shpjegon Yzeiraj.
Këto çështje dhe shumë të tjera, që Yzeiraj ka diskutuar në Gogo.al, mund t’i ndiqni në videon e mëposhtme.