Vendosni fjalën kyçe....

Profil/ Albana Loka, shqiptarja që kandidon për Këshillin Bashkiak në Bolzano, raporti me politikën e synimet


Albana Loka është një nga 8 shqiptarët që garojnë për një vend në Këshillin Bashkiak të Bolzanos, Itali, në zgjedhjet që zhvillohen pas pak ditësh, më 20 shtator.

Ajo mbështetet në këtë garë politike nga Partia Demokratike, ku kryebashkiaku Renzo Caramaschi, garon për një mandat të dytë.

Bio

Albana Loka ka lindur në Vorë, Shqipëri, ku ka kryer shkollën e mesme e më pas në vitin 2003 ka nisur studimet e larta për Psikologji më Parma, duke u diplomuar në vitin 2007.

Përveç diplomës Bachelor, ajo ka edhe një diplomë Master mbi Varësitë Psikologjike të Sjelljes në universitetin e Romës.

E martuar, me një vajzë dy vjeçare, Loka dhe familja e saj jetojnë e punojnë prej 10 vitesh në Bolzano. Aktualisht Albana punon si koordinatore e klinikës psikologjike S.I.I.Pa.C (Shoqëria Italiane e Ndërhyrjes në Patologjitë Kompulsive).

Hyrja në politikë

Siç rrëfen vetë ajo për Hashtag.al, propozimi për të garuar pë një vend në Këshillin Bashkiak të Bolzanos i ka ardhur rastësisht, teksa në bisedime të ndryshme është përvijuar nevoja e përvojës së një gruaje që mund të sjellë tema shëndetësore e sociale në këshill.

Loka pohon se i janë dashur disa muaj për të vendosur të futet në politikë, duke besuar fuqimisht se ka ende vend për përmirësimin e shoqërisë e jetës së qytetarëve.

Lidhur me garimin me mbështetjen e PD-së, ajo thekson se është e vetmja parti që ka ndjeshmëritë për temat që i interesojnë dhe trajton.

“Propozimi për të garuar erdhi rastësisht. Në Këshillin Bashkiak nevojitet përvoja e një gruaje dhe këndvështrimi për temat shëndetësore e sociale, ku emigrimi zë një pjesë të rëndësishme.” – thekson Loka për Hashtag.al.

Më tej ajo shprehet se ndihet e vlerësuar për faktin që garon në këto zgjedhje si shqiptare, duke theksuar se ata janë komuniteti me integrimin më të lartë në shoqërinë italiane.

Programi

Ajo është pjesë e një kuarteti profesionistesh gra nga fusha të ndryshme, siç i ka quajtur media italiane një artikull kushtuar atyre. Bëhet fjalë për Stefani Baroncelli, Elisabetta Bartocci, Monica Borromini dhe Albina Loka nga Bolzano.

Ato kanë prejardhje dhe përvoja profesionale të ndryshme (janë përkatësisht profesore universiteti dhe prorektore, eksperte në trajnimin për kompanitë, avokate dhe psikoterapiste) por me një qëllim të përbashkët: të përtërijnë mënyrën e të bërit dhe administrimit të punëve publike duke sjellë një këndvështrim që ende, thonë ato, nuk vlerësohet sa duhet.

Personalisht Loka thotë se kërkon të japë kontributin në temat shëndetësore, familjare e shoqërore. Një pikë e rëndësishme e programit është fillimi i trigjuhësimit të fëmijëve (gjermanisht, italisht e anglisht) në çerdhe.

Një tjetër nismë personale e saj është zhvillimi i ‘Javës Kulturore Shqiptare’ në Bolzano, që do shërbejë jo vetëm për promovimin e trashëgimisë shqiptare por edhe si një pikë bashkimi e bashkëpunimi mes shqiptarrëve që jetojnë e punojnë aty.

Në një pohim të sajin, Albana, thotë se shpreson që komuniteti shqiptar të jetë një zë më i bashkuar në Itali dhe se angazhimi i disaporës mund të sjellë përmirësim edhe në politikën shqiptare.

Por nuk harron të theksojë se do përfaqësojë denjësisht italianët, shqiptarët dhe emigrantët e kombësive të tjera në Bolzano.

“Angazhimi i diasporës mund të sjellë rritje dhe përmirësim në politikën shqiptare. Pjesa më e madhe e emigrantëve e ndiejnë veten larg nga ana politike, por fatmirësisht kjo gjë po fillon të ndryshojë. Shpresojmë të punojmë edhe më shumë mbi këtë ndjesi. Do jem krah për shqiptarët, italianët, emigrantët që janë nga Amerika e Jugut, Azia, Afrika etj. Jemi të gjithë krijesa hyjnore, të barabartë, pavarësisht prejardhjes, besimit e përkatësisë politike.” – thotë Loka për Hashtag.al.

Ajo shprehet optimiste për rezultatin në zgjedhjet e 20 shtatorit ku së bashku me gratë e tjera kandidate dhe shqiptarët që garojnë, të bëjë më të mirën për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Bolzano në të gjitha fushat. /Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *