Vendosni fjalën kyçe....

Vendi vakant i shpallur nga Presidenti për Gjykatën Kushtetuese, KED-ja lejon vazhdimin e kandidimit për Altin Binajn, përjashton Dedë Kasnecin dhe Artan Spahiut

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka zhvilluar ditën e sotme mbledhjen për shqyrtimin e procedurave të verifikimit për kandidaturat për vendin vakant për Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti i Republikës.

KED-ja ka marrë vendim që të lejojë kandidimin për Altin Binajn ndërsa ka përjashtuar Artan Spahiun dhe Dedë Kasnecin.

Ndërsa kandidati tjetër Gentian Mete është tërhequr nga gara.

Njoftimi i KED:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 16.09.2020, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, me këtë rend dite:

  1. Miratimi i procesverbaleve të përmbledhur të mbledhjeve të KED-së, të datave 17.08.2020 dhe 21.08.2020.
  2. Shqyrtimi i gjetjeve në procedurën e verifikimit për kandidatin për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

– Altin Binaj

– Artan Spahiu

– Dedë Kasneci

– Gentian Mete

  1. Diskutim për vlerësimin e njoftimit të organeve të emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, për rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, vakanca të parakohshme.
  2. Diskutim lidhur me “Njoftim qëndrimi” të përcjellë nga zoti Ardian Dvorani me e-mailin e datës 20.08.2020.
  3. Vendimmarrja lidhur me lejimin/ndalimin e kandidimit të kandidatëve të mësipërm.

Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, Avokati i Popullit si dhe përfaqësuesi i Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit. Në pikën 3 dhe 4 të rendit të ditës mori pjesë dhe përfaqësuesja e OPDAT.

Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:

  1. Lejimin e kandidimit të kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese:

1.Altin Binaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

  1. Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:

1.Artan Spahiu, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

2.Dedë Kasneci , për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

  1. Përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes së tij nga kandidimi, të kandidatit;

1.Gentian Mete , për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019.

Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen elektronike të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Kandidatët për të cilët është vendosur ndalimi, kanë patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji. Kandidatët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi gjithashtu për të njoftuar organet e emërtesës, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë, për rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Behet fjalë për vakancën e parakohshme, te rishshpallur nga Presidenti i Republikës në datë 27.09.2019 dhe vakancën e parakohshme të rishpallur nga Kuvendi i Republikës në datë 21.08.2019.

Anëtarët e KED u shprehën se nuk hyn në veprimtarinë dhe kompetencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vendimmarrja e kërkuar me anë të “Njoftim Qëndrimi“ të përcjellë nga Z. Ardian Dvorani.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *