Më shumë se 200 të burgosur janë arratisur nga një burg në veri-lindje të Ugandës. BBC shkruan se si pasojë qyteti ku ndodhej burgu është bllokuar ndërsa forcat e sigurisë përpiqen t’i gjurmojnë ata.
Të burgosurit thuhet se vranë një ushtar pasi dolën nga qelitë e tyre të burgut në Moroto, e më pas u drejtuan për në kodra.
Ushtria dhe zyrtarët e burgut po ndjekin të arratisurit, të cilët thuhet se u nisën me 15 armë dhe municion.
Një zëdhënës i ushtrisë tha se dy nga të burgosurit ishin kapur dhe dy të tjerë ishin vrarë.
Objekti i burgut është ndërtuar në rrëzë të malit të Morotos, në skaj të qytetit.
Sipas një raporti të Associated Press, të burgosurit hoqën uniformat e tyre të verdha të burgut dhe u larguan lakuriq në kodra për të shmangur zbulimin.
Raportet lokale thonë se për shkak të përplasjes me armë, bizneset në Moroto kanë mbetur mbyllur.