Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në studion e emisionit “Opinion”, pranoi se ish-kryeministri Sali Berisha do jetë sërish kandidat për deputet.
Pyetjes nëse do kandidonte sërish Berisha për deputet dhe në cilin qytet do të vendoset kandidatura e tij, Basha ju përgjigj: “Po. Në secilin qark që të dojë”.
Ndërkohë i pyetur për hapjen e partisë, Basha pranoi se ajo është e hapur edhe për zërat kritikë, ndërsa pohoi që ky fakt tashmë është vërtetuar.
Gjatë intervistës, kryetari i PD-së përjashtoi çdo mundësi për krijimin e një qeverie së bashku me PS.
“Është e paimagjinueshme që PD të bëhet fasadë e një rilindjeje e cila përbën një rrezik jetik për PS. Partia Socialiste e ka jetike të dali në opozitë dhe të distancohet nga krimi”-tha Basha.