Skuadra e Dritës arriti që të përgatis një befasi të madhe, duke mundur Sileksin e favorizuar në Shkup, me 2-0. Edhe pse skuadra nga Kratova ishte favorit në këtë përballje, kampioni i Kosovës, dëshmoi se ka kualitet për të vazhduar rrugëtimin në raundin e tretë në Ligën Evropa.
Pas pjesës së parë pa gola, më shumë nxitje dhe gola kishte në pjesën e dytë. Trajneri Ardian Nuhiu duket se mjaft mirë e kishte analizuar lojën e Sileksit dhe në vazhdim kërkoi kundërsulmet e shpejta , me të cilët edhe e hapi rezultatin në minutën e 48, kur Drita arkëtoi penaliti, ndërsa nga 11 metra nuk gaboi Fidan Gërbeshi.
Në vazhdim Sileksi kaloi në ofenzivë për të barazuar shifrat, mirëpo nga ana tjetër Drita ishte e qetë në lojë dhe në minutën e 80-të, 2 minuta pas përjashtimit të Grozdanoskit me karton të kuq, arriti që të shënojë golin e dytë, përmes Ardian Limanit, me çka fituesi ishte i qartë.
Në raundin e tretë, Drita do të luajë sërisht në transfertë dhe do të jetë përball Legisë në Poloni.