Mbledhja e sotme e Këshillit Politik është shoqëruar me debate dhe me bojkot, dy herë.
Në fillim ishin përfaqësuesit e opozitës së bashkuar të cilët dolën nga mbledhja, duke u shprehur se janë në pritje të përgjigjes së Gjiknurit lidhur me një kërkesë të tyre.
Por pas këtyre zhvillimeve, mbledhja ka vijuar mes Hajdarit, Bylykbashit dhe Vasili, por këtë radhë ka qenë Gjiknuri ai që është larguar. Tanimë është opozita ajo që akuzon maxhorancën për bojkot të mbledhjes.
Çfarë ka ndodhur?
Dy palët janë në mosdakordësi me njëra-tjetrën lidhur me propozimin që bëri sot maxhoranca, për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Po ashtu edhe për kërkesën e opozitës së bashkuar për asistencë nga OSBE-ODIHR.
Propozimi i PS-së
PS pretendon se kërkon lista 100 % të hapura, por duket se ka gjetur mekanizmin për t’i mbyllur ato.
Në pikën e fundit të draftit saktësohet se si do të kryhet renditja e kandidatëve fitues në zgjedhjet parlamentare, ku duket se rol primar do të ketë renditja e tyre nga Partia që do të dorëzohet në KQZ.
“Pas ndarjes së mandateve të fituara mes koalicioneve dhe/ose partive garuese jashtë koalicioneve (subjekte zgjedhore), KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor (koalicion zgjedhor ose parti garuese jashtë koalicioneve). Shpërndarja e mandateve fillon pas RI-RENDITJES FINALE TË KANDIDATËVE DUKE PATUR PËR BAZË TRE ELEMENTË: së pari, rënditjen e tyre në listën e dorëzuar paraprakisht në KQZ nga subjekti; së dyti, numrin e votave parapëlqyese të secilit kandidat; dhe së treti, numrin e votave që i janë dashur subjektit për të nxjerrë një mandat deputeti në këtë zonë zgjedhore.” – thuhet në draftin e propozuar nga PS në këshillin politik.
Një tjetër propozim ishte pragu me 3% për koalicionet.
Reagimi dhe propozimi i opozitës së bashkuar
Përfaqësuesit e PD-LSI-së e kanë konsideruar të papranueshëm propozimin e maxhorancës.
“Sot jemi para faktit, ne shpresojmë shumë dhe jemi këtu me durim dhe do vazhdojmë të jemi me durim të presim që Partia Socialiste të mos bojkotojë në mënyrë përfundimtare, në mënyrë të njëanshme, të shkatërrojë konsensusin e 14 janarit dhe 5 qershorit dhe të shënojë së paku një rekord të ri pozitiv kundrejt ngjarjeve shumë të rënda, të miratimeve të njëanshme që ajo ndërmori në 30 korrik”, tha Petrit Vasili.
“Ne nuk lëvizim nga kërkesat tona. Koalicionet ruhen siç janë dhe lista 100% realisht të hapura. Le të kuptojmë diçka. Në këtë moment, siç tha edhe zoti Vasili, PS po bojkoton marrëveshjen e 14 Janarit.”- deklaroi Oerd Bylykbashi.
Ata kishin një propozim nga ana e tyre për maxhorancën, që të merrnin asistencë nga OSBE-ODIHR për çështjet në të cilat nuk binin dot dakord.
“Ne sot sollëm kërkesën zyrtare të opozitës, kërkesë me shkrim për të aktivizuar mekanizmin e zgjidhjes së mosdakordësive që ka marrëveshja e 14 janarit e cila në mënyrë fare të qartë thotë: palët kërkojnë konsensus, dhe nëse konsensusi nuk arrihet, Këshilli i drejtohet OSBE-ODIHR-it për asistencë për të gjeture zgjidhje të pranueshme.
Ajo që po kërkojmë ne është pikërisht gjetja e një zgjidhje të pranueshme konsensuale.”– tha Bylykbashi.
Ai dhe Vasili thanë për mediat se prisnin përgjigjen e Gjiknurit.
Rudina Hajdari, e cila së fundmi është bërë pjesë e Nismës Thurje, doli gjithashtu e revoltuar nga mbledhja në Këshillin Politik. Ajo e konsideroi të papranueshëm propozimin e maxhorancës, që sipas saj ka në thelb të saj mos hapjen e listave.
“Propozimi i PS është një propozim i papranueshëm, dhe të kuptoni që kërkon të mos hapë listat dhe ata thanë se kanë merak përzgjedhjen e grave në parlament. Po ta shikoni renditja e kandidatëve të rri e njëjtë dhe vetëm një kandidat preferencial të vijë nga jashtë që do të thotë se listat janë praktikisht të mbyllura. PS po bën një hap pas, nuk është kjo lista e hapur dhe ajo që këkrojnë qytetartë. Kryetarët e partisë kanë ende fuqinë të vendosin në listë kë të duan, është një trup për të mbajtur listat e mbyllura, PS të reflektojë mbi këtë propozim. Nuk ndryshon asgjë. Ajo që është e rëndësishme është mbajtja e listave të hapura”, deklaroi Hajdari.
Sipas Nismës Thurje, e cila së fundmi është kthyer në një lëvizje të re politike, sipas propozimit të maxhorancës nuk ndryshon asgjë në renditjen e kandidatëve.
“Varianti i propozuar sot nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Këshillin Politik të Reformës zgjedhore është praktikisht një Listë 100% e Mbyllur.
Nëse renditja e kandidatëve fitues përcaktohet nga renditja që Kryetari i Partisë iu ka bërë kandidatëve në listë atëherë, dhe jo nga numri i votave që çdo kandidat ka marrë, atëherë kjo është e njëjta gjë siç ka qënë deri më sot. Një Listë e Mbyllur, ku kryetari vendos renditjen e kandidatëve dhe që i bie të ketë emëruar dhe deputetët fitues.”– thotë Nisma.
Nisma thotë që është pro propozimit që ka bërë kryedemokrati Lulzim Basha, që renditja e kandidatëve në fillim të bëhet sipas alfabetit dhe më pas fituesit të zgjidhen në bazë të votave që kanë marrë.
Si reagoi Gjiknuri?
Pasi palët nuk pranuan propozimet e tij dhe pas kërkesës për asistencë nga OSBE-ODIHR, Damian Gjiknuri tha se opozita kërkon të krijojë kriza artificiale.
Sipas Gjiknurit, opozita kërkon të hedhë në erë gjithë procesin.
“Sot PD bojkotoi këshillin politik, megjithëse ishte ajo kërkuese e mbledhjes. E bojkotoi me të njëjtat qëllime që kanë synim, të hedhin në erë këtë proces dhe të krijojnë një krizë artificiale. Stiset një debat i kot. Këtu po bëhet sikur po zihen për procedurë. ODIHR është organizate e specializuar për të dhënë mendim juridik mbi produkte konkrete. Sot ne sollëm një produkt. Është një draft që kërkon impuntin e të gjithë. Parashikon koalicionin, vota për çdo kandidat dhe mekanizmat për ndarjen e mandateve”, tha Gjiknuri.
Përfaqësuesi i maxhorancës i bëri thirrje opozitës që të bashkohen për të punuar me këtë draft, ndërsa e quajtën të gjithë këtë “sebep për të justifikuar krizën e tyre të brendshme”.
Dy opozitat bashkë në mbledhje pa Gjiknurin
Pas debateve, përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri u largua duke lënë dy palët e opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare të vazhdojnë diskutimin pa të. Tani ishte opozita ajo që akuzonte Gjiknurin për bojkot.
Oerd Bylykbashi, tha ata ishin të gatshëm të vazhdonin mbledhjen, nëse Gjiknuri do reflektonte dhe do pranonte propozimin për asistencë nga OSBE-ODIHR.
“Ishim të gatshëm të vazhdonim mbledhjen sa kohë që përfaqësuesi i Partisë Socialiste do të reflektonte. Ai e bojkotoi mbledhjen e Këshillit Politik, u largua. Ne jemi të gatshëm që, nëse reflektojnë, nëse PS reflekton, të rikthehemi po sot për të vazhduar mbledhjen, duke, së pari, nënshkruar një letër, kërkesë zyrtare nga këshilli për OSBE/ODIHR-in. “- tha ai.
Mbetet për t’u parë se çfarë do ndodhë më tej në tryezën e negociatave në Këshillin Politik me draftin e PS-së dhe kërkesën e PD-LSI-së/Hashtag.al