Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka publikuar një video nga momenti kur firmos “Urdhrin e Lirisë” për Presidentin e SHBA-ve Donald Trump duke konfirmuar kështu raportimin e Reuters.
“Ndihem i privilegjuar që si President i Republikës së Kosovës, në emër të popullit të Kosovës, të ndaj Urdhrin e Lirisë për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, shkruan Thaçi.
Kjo medalje u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huaj, për kontributin e lartë në mbrojtjen e lirisë së Kosovës.
Më pas, presidenti kosovar e fton homologun e tij amerikan që të vizitojë Kosovën.
“Presidentin Trump, e kam ftuar që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt, për t’u njoftuar me popullin më pro-amerikan në botë. E përjetshme është miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Thaçi.
Reuters shkruante se edhe dy ndihmës të presidentit amerikan, këshilltari i sigurimit kombëtar Robert O’Brien dhe Richard Grenell, i dërguari i SHBA për bisedimet Kosovë-Serbi, po ashtu do të marrin Medaljen Presidenciale të Meritave.
Si pjesë e një marrëveshjeje të arritur në fillim të këtij muaji, Kosova dhe Serbia ranë dakord të punojnë në fushën ekonomike, por lanë pezull lëvizjen për normalizimin politik.