Vendosni fjalën kyçe....

Shfaqet një tjetër teori mbi Navalny-n, s’u helmua me çaj në aeroport por me ujë në hotel


Gjermania por edhe vendet e tjera të BE-së kanë akuzuar Rusinë për helmimin e liderit të opozitës, Navalny, duke i kërkuar me forcë që të gjejë përgjegjësit e t’i nxjerrë para drejtësisë.

Navaly u sëmur befas teksa ishte në fluturim nga qyteti i Tomsk drejt Moskë. Avioni u detyrua të bëjë ulje të detyruar në Omsk, ku Navalny u shtrua me urgjencë në spital para se të transportohej drejt Gjermanisë, ku ndodhet aktualisht.

Pas mbërritjes në Berlin, u deshën disa ditë para se qeveria gjermane të dilte me një deklaratë zyrtare sipas së cilës lideri i opozitës ruse, Navalny, ishte helmuar me Novichok, një agjent nervor u prodhuar në Rusi.

Një përfundim të tillë sipas Berlinit zyrtar kishin arritur dhe dy laborarore në Francë e Suedi. Pas kësaj retorika zyrtare e Gjermanisë dhe vendeve të tjera europianë drejt Moskës zyrtare u ashpërsua, duke e kërcënuar këtë të fundit me sanksione.

Fillimisht personat e afërt të Navalny-t thanë pas sëmurjes së tij se ai ishte helmuar me anë të një gote çaji të cilën e kishte pirë para nisjes drejt Moskës.

Së fundmi ka dalë një teori tjetër, sipas së cilës Navalny është helmuar në hotel. Personat e afërt të Navalny-t deklaruan ditën e djeshme se kishin inspektuar dhomën ku kishte qëndruar lideri i opozitës dhe kishin gjetur gjurmë të Novichok-ut në një gotë uji, duke pretenduar se ai ishhte helmuar një natë para nisjes drejt Moskës.

Ata madje kanë publikuar në Instagram edhe një video të kontrollit që i kanë bërë dhomës së hotelit ku qëndroi Navalny natën para se të sëmurej. Ata morën aty gotën që pretendohet se helmoi liderin e opozitës dhe e çuan për analizë në Gjermani ku më pas u arrit në përfundimin se ai ishte helmuar me Novichok.

Rusia zyrtare i ka hedhur poshtë akuzat e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së duke thënë se po ushqen histerinë anti-ruse me kërkesat dhe qëndrimet e saj. Ministri i Jashtëm, Lavrov, deklaronte para pak ditësh se Moska nuk kishte asnjë përfitim nga vdekja e Navalny-t.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *