Vendosni fjalën kyçe....

Ikonë e feminizmit në drejtësinë amerikane, si i ngjiti një nga një shkallët e suksesit Ruth Ginsburg


Sot u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare anëtarja e Gjykatës së Lartë në SHBA, Ruth Bader Ginsburg, ikona feministe në drejtësinë amerikane.

Ginsburg është gruaja e dytë që ka shërbyer si gjyqtare në gjykatën më të lartë të vendit.

Ajo luftoi kundër seksizmit gjatë gjithë karrierës së saj ndërsa ngjitej në majën e profesionit.
Një avokate e përjetshme e barazisë gjinore, Ginsburg shpesh bënte shaka duke thënë se do të kishte mjaftueshëm gra në Gjykatën e Lartë kur të zënë të nënta vendet.


Fillimet modeste

Ajo lindi nga prindër hebrenj emigrantë në Brooklyn (New York City) në vitin 1933 në kulmin e Depresionit të Madh. Nëna e saj, Celia Bader, vdiq nga kanceri një ditë para se Ginsburg të linte shkollën e mesme.

Ginsburg ndoqi Universitetin Cornell, ku u takua me Martin “Marty” Ginsburg. Historia e tyre e dashurisë zgjati gati gjashtë dekada derisa ai u nda nga jeta në vitin 2010.

“Takimi me Martin ishte gjëja më me fat që më ka ndodhur ndonjëherë”, tha Ginsburg një herë në një intervistë.
Ajo do të shtonte: “Ai shte djali i parë që kam njohur ndonjëherë që interesohej që unë të kisha një tru”.

Çifti u martua menjëherë pas diplomimit të Ginsburg në vitin 1954 dhe vitin e ardhshëm u bënë me një vajzë, të cilën e quajtën Jane.

Ndërsa ishte shtatzënë, Ginsburg nisi të punonte në një zyrë të sigurimeve shoqërore – diskriminimi ndaj grave shtatzëna ishte ende i ligjshëm në vitet 1950. Përvoja e bëri atë të fshehë shtatzëninë e saj të dytë para se ajo të lindte djalin e saj, James, në vitin 1965.

Në vitin 1956, Ginsburg u bë një nga nëntë gratë e pranuara në Shkollën e Drejtësisë në Harvard, nga një klasë prej rreth 500 studentësh. Dekani kërkoi që studentet e tij femra t’i tregonin se si mund t’a justifikonin marrjen e vendit të një burri në shkollën e tij.

Kur Marty, gjithashtu një student i Drejtësisë në Harvard, nisi punë si avokat i taksave në Neë York, Ginsburg u transferua në Shkollën e Drejtësisë në Columbia për të përfunduar vitin e saj të tretë dhe të fundit, duke u bërë gruaja e parë që punoi në rishikimet ligjore të të dy kolegjeve.

‘Mësuese’ për gjyqtarët meshkuj

Pavarësisht se i përfundoi studimet duke qenë e para e klasës së saj, Ginsburg nuk mori asnjë ofertë të vetme pune pas diplomimit.

“Asnjë firmë ligjore në të gjithë qytetin e New York-ut nuk do të më punësonte”, tha ajo më vonë. “Unë goditesha në tre bazat e mia: Isha hebreje, grua dhe nënë”.

Ajo përfundoi duke u marrë me një projekt që studionte procedurat civile në Suedi përpara se të bëhej profesoreshë në Shkollën e Drejtësisë në Rutgers, ku dha mësim në disa nga klasat e para për gratë dhe ligjin.

“Lëvizja e grave u gjallërua në fund të viteve ’60,” tregonte ajo për NPR. “Atje isha, një profesoreshë e shkollës juridike me kohë në dispozicion që mund t’i kushtoja lëvizjes.”

Në vitin 1971, Ginsburg bëri argumentin e saj të parë të suksesshëm para Gjykatës së Lartë, duke shqyrtuar nëse burrat mund të preferoheshin automatikisht mbi gratë si ekzekutues të pasurive.

Gjykata ra dakord me Ginsburg, duke shënuar herën e parë që Gjykata e Lartë kishte ndryshuar një ligj për shkak të diskriminimit të bazuar në gjini.

Në vitin 1972, Ginsburg bashkë-themeloi Projektin për të Drejtat e Grave në Unionin Amerikan të Lirive Civile (ACLU). Po atë vit, Ginsburg u bë profesoresha e parë me mandat të përhershëm në Shkollën e Drejtësisë në Columbia.

Ajo së shpejti u bë këshilltarja e përgjithshme e ACLU-së, duke filluar një seri çështjesh të diskriminimit gjinor. Gjashtë nga këto e sollën atë përpara Gjykatës së Lartë, pesë nga të cilat ajo i fitoi.

Ajo e krahasoi rolin e saj me atë të një “mësueseje kopshti”, e cila u shpjegonte diskriminimin gjinor një klase plot me gjyqtarë meshkuj.

Qasja e saj ishte e kujdesshme dhe shumë strategjike. Ginsburg besonte se ishte diçka më e mençur të shpërbëheshin ligjet dhe politikat seksiste një nga një, në vend që të rrezikonte të kërkonte nga Gjykata e Lartë të nxjerrë menjëherë jashtë ligjit të gjitha rregullat që trajtojnë burrat dhe gratë në mënyrë të pabarabartë.

Klientët e Ginsburg ishin shpesh burra. Në vitin 1975, ajo argumentoi rastin e një burri të ri, të cilit i ishin mohuar përfitimet pasi gruaja e tij vdiq gjatë lindjes.

“Rasti i tij ishte shembulli i përsosur se si diskriminimi i bazuar në gjini i dëmton të gjithë,” tha Ginsburg.

Megjithëse Ginsburg shpesh portretizohej si liberale, ditët e saj në gjykatën e apelit u shënuan me moderim. Ajo fitoi një reputacion si një gjyqtare e qendrës, duke votuar shpesh herë me konservatorët dhe po ashtu dhe kundër.

Ajo u emërua në Gjykatën e Lartë në vitin 1993 nga presidenti Bill Clinton pas një procesi të gjatë kërkimi. Ginsburg ishte gruaja e dytë e konfirmuar ndonjëherë në atë stol, pas Sandra Day O’Connor, e cila u emërua nga Presidenti Ronald Reagan në vitin 1981.

Gjatë kohës së saj në Gjykatën e Lartë, Ginsburg u zhvendos dukshëm majtas. Së fundmi ajo shërbeu si kundërpeshë për vetë gjykatën, e cila, me emërimin e Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh nga presidenti Donald Trump, anoi në favor të gjyqtarëve konservatorë.

Shoku më i mirë dhe përkrahësi më i madh

Marrëdhënia e Ginsburg me bashkëshortin pasqyronte një barazi gjinore që ishte shumë e përparuar për kohën. Çifti i ndanin bashkë kujdesin për fëmijët dhe punët e shtëpisë. Madje Martin ishte ai që gatuante.

“Kam mësuar shumë herët në martesën tonë që Ruth ishte një kuzhiniere mjaft e tmerrshme dhe, për mungesë interesi, nuk kishte gjasa të përmirësohej”- tha ai në një fjalim të vitit 1996.

Zyrtarët e Klintonit thanë se ishte lobimi i palodhur i të shoqit që solli emrin e Ginsburg në listën e ngushtë të kandidatëve të mundshëm të Gjykatës së Lartë në vitin 1993.

Martin Ginsburg thuhet se i tha një shoku se gjëja më e rëndësishme që ai kishte bërë në jetën e tij është që i “dhashë një mundësi Ruthit të bëjë atë që ajo ka bërë”.

Pas konfirmimit të saj në Gjykatën e Lartë, Ruth Ginsburg falënderoi të shoqin: “Ai ka qenë që nga vitet tona të adoleshencës, miku im më i mirë dhe promovuesi im më i madh”.

“Famëkeqja RBG”

Nga fundi i jetës së saj, Ginsburg u bë një ikonë kombëtare në SHBA. Pjesërisht për shkak të mospajtimeve të saj, një student i ri i drejtësisë krijoi një llogari në Tumblr kushtuar Ginsburgut të quajtur “Notorious RBG”.

Kjo llogari e prezantoi Ginsburg me një brez të ri të feministëve të rinj dhe e bëri atë një figurë kulti.
RBG-ja Famëkeqe u bë subjekt i një dokumentari, një biografi me shumë çmime dhe romane të panumërta ndër më të shiturit. Ajo frymëzoi paroditë e drejtpërdrejta të së shtunës mbrëma dhe fansat e vendosën foton e saj nëpër bluzat e tyre.

Çdo aspekt i jetës së saj u mitologjizua, nga rutina e saj e stërvitjes deri tek kujdesi i saj për flokët.
E pyetur nga NPR në vitin 2019 nëse kishte ndonjë keqardhje duke pasur parasysh sfidat me të cilat ishte përballur në jetë, Ginsburg u përgjigj: “Unë mendoj se kam lindur nën një yll shumë të ndritshëm”.

VINI RE: Ky artikull është marrë me shkurtime nga BBC


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *