Një grua e moshuar është dhunuar në shtëpinë e saj në Gjirokastër. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23.00 në fshatin Palokaster, ku një i panjohur ka hyrë në shtëpinë e të moshuarës duke e rrahur në shtratin ku flinte. E moshuara ka pësuar fraktura në trup dhe në fytyrë.
“Ishte ora 11 e natës, kur një person u fut në shtëpinë time. Nisi të më godasë në kokë me grushta e në trup. M’u hodh sipër e më zuri frymën”– ka treguar 75-vjeçarja Pina Qamo për BalkanWeb.
Gruaja thotë se nuk ka arritur të njohë personin që e sulmoi, megjithatë tregon se ndihet e frikësuar pasi në fshat është në hasmëri. Asaj i kanë vrarë edhe burrin para 3 vitesh.
“Nuk e njoh personin, por arrita të dalloj që ishte një burrë, i veshur me rroba të ashpra. I thashë që nuk ka asgjë për të vjedhur. Nuk më kërkoi gjë. Po bërtisja dhe thirra një fqinj. Autori u largua dhe nuk mori asgjë.
Jam e frikësuar se më kanë vrarë dhe burrin para 3 vitesh në fshat, jam me hasmëri”, tha e moshuara nga shtrati i spitalit.
Zonja Qamo jeton bashkë me vajzën e saj rreth 50 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor.