Vendosni fjalën kyçe....

“Përdori kamerat e telefonit për të spiunuar përdoruesit e Instagram-it” – paditet Facebook-u


Facebook është paditur në SHBA, nën akuzën se ka përdorur fshehurazi kamerat e iPhone për të marrë informacione “jashtëzakonisht private dhe intime”. Kjo përmes aplikacionit të Instagram-it, që e ka nën pronësi.

Ky akt ligjor vjen pasi përdorues të Instagram-it kanë raportuar në korrik se ata kishin vërejtur simbolin e FaceTime, i cili tregon se kamera e iPhone është e ndezur.

Në atë kohë, Facebook i mohoi akuzat e spiunimit dhe tha se bëhej fjalë për një defekt, i cili shkaktoi njoftime të rreme se Instagrami po përdorte kamerat.

Por tani, një proces gjyqësor në San Francisco, këmbëngul se gjigandi i teknologjisë po e bënte atë me qëllim.
Paditësja Brittany Conditi thotë se aplikacioni i Instagram-it po i aktivizonte kamerat e smartphone-ve pa i njoftuar pronarët e telefonave në mënyrë që të mblidhte “të dhëna fitimprurëse dhe të vlefshme që përndryshe nuk do të kishte qasje”.

Ky informacion personal “jashtëzakonisht privat dhe intim”, “përfshirë privatësinë në shtëpitë e veta të përdoruesve”, lejoi Facebook-un, të fitojë “njohuri të vlefshme dhe të bëjë hulumtime të tregut”.

“Facebook është në gjendje të shohë në kohë reale se si përdoruesit reagojnë ndaj reklamave në Instagram, duke siguruar informacion jashtëzakonisht të vlefshëm për reklamuesit e tij”– tha ajo, citon RT.

Në muajin gusht, një tjetër proces gjyqësor nisi kundër Facebook-ut, duke akuzuar Instagramin se ka përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës për të mbledhur të dhëna biometrike të njerëzve. Por gjigandi i teknologjisë insistoi që aplikacioni i nuk e përdorte aspak teknologjinë e njohjes së fytyrës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *