Vendosni fjalën kyçe....

Rama i përgjigjet “Deutsche Welle”-s për dyzimet gjermane për hapjen e negociatave


Pas vizitës në Gjermani, kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë për Deutsche Welle për dyzimet gjermane ndaj konferencës së parë për negociatat me BE.

Gazetarja e DW-së, Anila Shuka e pyeti Ramën se kur do mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave, dhe ai u përgjigj se me shumë mundësi kjo do ndodhë në fund të këtij viti ose gjatë vitit tjetër. Por theksoi disa herë se kjo varej nga dinamikat e Brendshme të BE-së.

“Këtë do ta shohim në varësi të vendimit që do të marrë Këshilli Europian. Por ajo që është e padyshimtë, është që ne po ecim në mënyrë intensive në hedhjen e hapave të mëtejshëm dhe, pavarësisht se çfarë do të vendosë Këshilli Europian, që ne e dimë që është një vendimmarrje që varet shumë më tepër nga dinamikat e brendshme, se sa nga çfarë bëjmë ne, ne do të vazhdojmë me vullnet dhe me durim. Dhe shpresoj që Konferenca do të ndodhë në fund të këtij viti, dhe nëse nuk ndodh në fund të këtij viti, ajo do të ndodhë vitin e ardhshëm dhe kjo është thjesht një çështje, që e përsëris ka të bëjë me dinamikat e brendshme në Bashkimin Europian.”– tha Rama.

Këtu gazetarja i kujton se qarqe nga grupi CDU/CSU në Parlamentin Gjerman ngurrojnë të fillojnë negociatat me Shqipërinë, pasi janë të zhgënjyer nga ndryshimi i Kushtetutës që u bë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes zgjedhore me ndërhyrje të fortë nga pala ndërkombëtare.

Kësaj Rama iu përgjigj se në Gjermani ka vend për të gjithë zërat, por ai beson se ka bërë gjënë e duhur.

“Gjermania është një vend demokratik. Ka vend për të gjithë zërat. Ajo që unë besoj është që, në konkluzion, ne kemi bërë gjënë e duhur për vendin tonë, kemi bërë gjënë e duhur për sistemin zgjedhor, dhe kemi bërë gjënë e duhur në funksion të ambicies sonë për të konsoliduar më tutje procesin zgjedhor dhe procesin demokratik. Dhe jam i bindur që, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë absolutisht legjitime, kjo nuk do të përbëjë asnjë arsye për të pasur ndonjë rezervë mbi Shqipërinë.”– deklaroi kryeministri.

Gjatë intervistës, Rama u pyet edhe lidhur me Paketën Antishpifje dhe kundërshtimet për të nga të njëjtat qarqe në Gjermani.

Rama e konsideroi të domosdoshëm ligjin për mediat, ndërsa tha se do marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Gjermania ka një nga ligjet më të fortë kundër shpifjes dhe faktikisht ne dëshironim që të kishim një ligj që të bazohej në modelin gjerman, por duke qenë se ne jemi një vend shumë më i vogël se Gjermania dhe me shumë më pak zë se Gjermania nga miqtë tanë në Këshillin e Europës apo në OSBE na u tha që ne nuk mund të aplikojmë ligjin gjerman, sepse do të ishte një ligj i rrezikshëm për Shqipërinë. Kjo është bota ku jetojmë. Ne kemi bërë një ligj, i cili është absolutisht i domosdoshëm, do të marrim në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, por Shqipërinë, si vatrën më të nxehtë të shpifjeve në Europë, ne nuk do ta lëmë.”– tha Rama.

Ndërkohë lidhur me udhëtimin e tij në Gjermani, Rama tha se ka qenë i ftuar në një forum të rëndësishëm të politik-bërjes në Bavari dhe se nuk kishte shkuar atje për t’u takuar me kancelaren Angela Merkel.

Ai tha se ndalesa në Berlin ka qenë thjesht dhe vetëm për të nderuar ftesën e një përfaqësie të gjerë politikanësh dhe sipërmarrësish që dëshironin të ndanin me të opinione dhe shtoi se me kancelaren është në kontakt të vazhdueshëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *