Të tjera detaje zbulohen një ditë pas arrestimit të Erion Alibejt në Elbasan, i cili dyshohet si porositës i 3 vrasjeve.
Sipas “Balkanweb”, policia ka dyshime që Alibej paguhej nga grupet kriminale shqiptare, rezidentë në Dubai, që trafikonin drogëra të forta në Europë.
Alibejt besohet se i ngarkoheshin detyra për të eliminuar dhe dëmtuar grupet rivale që merreshin me të njëjtin aktivitet të paligjshëm.
Paraprakisht besohet se Alibej qëndron pas vrasjes së Emiljano Ramazanit e Regis Runajt. Ndërsa vrasja e Bujar Çelës dyshohet se është mesazh për vëllain e tij, Talo Çela i cili qëndron i fshehur.
34-vjeçari është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por nuk ka marrë përsipër të jetë porositës i këtyre vrasjeve.
Erion Alibej i cili u arrestua dje, është vëllai i Endrit Alibej, ndaj makinës së të cilit u zbrazën 18 plumba në një atentat në Elbasan, ku përveç tij mbetën të vrarë edhe daja i tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk, Erdal Durunay.