Liderët evropianë i kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se pretendimi për posedimin e autoritetit për kthimin e sanksioneve të OKB-së ndaj Iranit në mënyrë të njëanshme nuk ka efekt ligjërisht, duke shkaktuar përplasje të madhe që mund ta nxisë Uashingtonin që të vendosë sanksione ndaj aleatëve evropianë.
Përmes një deklarate të përbashkët të publikuar të dielën, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar thanë se çfarëdo përpjekjeje nga Shtetet e Bashkuara që të vendosin sanksione të veta ndaj ndonjë shteti e të cilat nuk janë në përputhje me ato që janë rivendosur nga Kombet e Bashkuara janë ligjërisht të pavlefshme.
“Qëllimi ynë është që t’i ruajmë autoritetin dhe integritetin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mbesim të përkushtuar që ta zbatojmë plotësisht Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit. Ne kemi punuar në mënyrë të palodhshme për ta ruajtur marrëveshjen bërthamore dhe mbesim të përkushtuar që ta vazhdojmë këtë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të tri fuqive më të mëdha evropiane.
Të shtunën, Shtetet e Bashkuara vendosën ta rikthejnë një varg sanksionesh ndaj Iranit, duke thënë se kanë autoritet për të bërë një gjë të tillë si nënshkruese origjinale e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, shkruan The Guardian.
Megjithatë, vendet e tjera që janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, përfshirë Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Kinën dhe Rusinë, thonë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga kjo marrëveshje në vitin 2018 përbën edhe tërheqje të së drejtës ligjore për t’i rivendosur Iranit sanksione në emër të Kombeve të Bashkuara.
Kjo mosmarrëveshje nuk paraqet vetëm problem ligjor, sepse administrata e Trumpit pretendon se Shtetet e Bashkuara tash e kanë autoritetetin që të veprojnë kundër secilit shtet që i shkel sanksionet e rikthyera, shkruan The Guardian.
Grupi i tri vendeve evropiane tashmë i ka dërguar një letër Këshillit të Sigurimit për ta sfiduar të drejtën e ShBA-së për rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit në mënyrë të njëanshme në emër të Kombeve të Bashkuara.
Në anën tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, të shtunën tha se Shtetet e Bashkuara i kanë rikthyer sanksionet ndaj Iranit dhe presin që të gjitha vendet anëtare të OKB-së t’i zbatojnë plotësisht obligimet e tyre për t’i zbatuar këto masa.