Vendosni fjalën kyçe....

“Lufta” e pagave- Pas 7 vitesh pushtet Rama premton se do i rrisë 40%, Basha premtoi 1200 euro për mjekët e 700 për infermierët


Në prag të zgjedhjeve të vitit 2021 në të dy kampet kanë filluar një “luftë” premtimesh për pagat.

Sektori ku mes kreut të mazhorancës dhe atij të opozitës po kryhet kjo “luftë” është ai i shëndetësisë.

Duke qenë se këtë vit me pandeminë sektori i shëndetësisë luan një rol të veçantë politika si duket kërkon t’i joshë për të marrë votën e tyre.

Ditën e sotme nga Berati, Kryeministri Edi Rama pas 7 vitesh në pushtet premtoi se do rrisë me 40% rrogat për infermierët dhe mjekët.

Do jetë ndërhyrje e fortë dhe rritje e konsiderueshme. S’dua të flas për shifrën finale por besoj që do arrijmë në 40%. Faktikisht po e konkludojmë këto ditë, se duam ta bëjmë të kombinuar me pagat e mësuesve. Dhe plotësojmë dhe një zotim të mbarë që do të kemi rritje 40% në këtë 4-vjeçar për pagat e mësuesve, duam të arrijmë atje. Sa i përket mjekëve dhe infermierëve aq më tepër në kushtet aktuale, në kushte komplekse. Mos ketë pagë inferiore, në krahasim me pagat në Itali e Gjermani”-deklaroi Rama.

Nga ana tjetër kryedemokrati një muaj më parë premtoi se me ardhjen e tij në qeveri, paga për mjekët do jetë 1200 euro ndërsa për infermierët 700 euro.

Me planin tonë ne do të mundësojmë ndryshimin e madh në shëndetësi me paga dinjitoze të niveleve rajonale për ta: 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo qeveri është treguar mosmirënjohëse me mjekët dhe infermierët edhe gjatë pandemisë. Pa asnjë vonesë tjetër, qeveria Rama duhet t’u japë atyre shpërblimin e premtuar prej 1000 euro. Stafet mjekësore janë profesioni më jetik i vendit. Atyre ju detyrohemi vepra dhe jo premtime te pambajtura”-deklaronte Basha më 26 gusht të këtij viti.

Me afrimin e zgjedhjeve, “lufta” e partive me premtime pritet të shtrihet edhe në sektorë të tjerë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *