Vendosni fjalën kyçe....

Profil – Gordana Jankulovska, ish-ministrja që u dënua me katër vite burg në Maqedoninë e Veriut


Pak ditë më parë, Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi dënimin me katër vite burg për ish-ministren e Brendshme në qeverinë Gruevski, Gordana Jankulovska.

Zyrtarja e lartë është dënuar për korrupsion e shpërdorim detyre lidhur me rastin ‘Tanku’, që ka të bëjë me blerjen e një mjeti luksoz ‘Mercedes-Benz’ me vlerë 580 mijë euro nga ish-kryeministri Gruevski.

Ky i fundit është dënuar me dy vite burg për të njëjtin rast, por u arratis në Hungari, ku ka fituar azil politik.

Po kush është Gordana Jankulovska?

E lindur në vitin 1975, Jankulovska ka qenë ministrja e dhjetë e Brendshme e Maqedonisë që kur vendit fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia.

Ajo ka qenë në detyrë nga 26 gushti 2006 deri më 12 maj 2015. Ajo u dorëhoq nga posti në maj të vitit 2015 gjatë protestave që përfshinë Maqedoninë duke u zëvendësuar nga Mitko Chavkov.

Në shkurt 2016, prokuroria speciale e akuzoi Jankulovskën dhe tetë persona të tjerë për manipulim zgjedhjesh dhe veprimtari kriminale.

Megjithatë dënimi me burg i erdhi lidhur me rastin ‘Tanku’.

Sipas gjykatës, Jankulovska ka nxitur ish-ndihmësin e saj, Gjoko Popovski, që të manipulonte procedurën e tenderimit duke favorizuar kompaninë ‘Mak Auto Star’ për blerjen e mjetit të blinduar ‘Mercedes-Benz’ me vlerë 580 mijë euro që përdorej në mënyrë sekrete nga eprori i saj, ish-kryeministri Gruevski.

Jankulovska i ka mohuar akuzat ndaj saj gjatë procesit gjyqësor që veç të tjerash në vendimin e dhënë i ka ndaluar asaj largimin nga vendi.

Ish-ministrja njihet në vendin fqinj si aleatja e ngushtë e ish-kryeministrit Gruevski, i cili u arratis nga vendi duke kaluar edhe nëpërmjet Shqipërisë, pavarësisht se pasaporta e tij ishte e bllokuar, para se të mbërrinte në territorin hugarez, ku ka fituar azil politik.

Jankulovska është një nga zyrtarët më të lartë në Maqedoninë e Veriut që do vuajë dënimin në burg, teksa vendimi pritet të ekzekutohet në ditët në vijim.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *