Kryeministri Rama ka premtuar nga Berati se qeveria e tij do i rrisë deri në 40% rrogat e mjekëve e infermierëve në vend.
Ai ishte në Berat për të vërejtur punimet për maternitetin e ri të qytetit. Rama tha se synimi i qeverisjes së tij ishte rritja e pagave në mënyrë dinjitoze krahasuar me rajonin.
“Do jetë ndërhyrje e fortë dhe rritje e konsiderueshme. S’dua të flas për shifrën finale por besoj që do arrijmë në 40%. Faktikisht po e konludojmë këto ditë, se duam ta bëjmë të kombinuar me pagat e mësuesve. Dhe plotësojmë dhe një zotim të mbarë që do të kemi rritje 40% në këtë 4-vjeçar për pagat e mësuesve, duam të arrijmë atje. Sa i përket mjekëve dhe infermierëve aq më tepër në kushtet aktuale, në kushte komplekse. Mos ketë pagë inferiore, në krahasim me pagat në Itali e Gjermani. Aty po ka paga më të larta, por edhe taksa më të larta. Por edhe duke financuar ata që janë atje ku janë. S’ka pse të ketë diferencë mes pagës suaj dhe pagës së bonusit. Do mbetet diferenca. Por ata që jetojnë aty ku banojnë do kenë një pagë shumë më të mirë. S’besoj që jemi më në vrap me kohën, sigurisht që e mira s’ka fund. Të paktën vendosim për një pagë dinjitoze, së paku në krahasim me rajonin.” – tha ndër të tjera Rama.