Sot bëhet një vit nga tërmeti i 21 shtatorit, i cili ka dëmtuar mijëra banesa dhe që shërbeu si paralajmërim për një tërmet tjetër më të fortë siç ishte ai i 26 nëntorit.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video me këtë rast, përmes së cilës pretendon se çdo familje në Tiranë e prekur nga ai tërmet, janë strehuar në banesa të reja.
Ai shprehet se qeveria e tij bën pikërisht atë që thotë, duke pretenduar se i ka mbajtur premtimet.
“Sot 1 vit nga tërmeti i 21 shtatorit. NE THEMI ATË QË BËJMË dhe BËJMË ATË QË THEMI”– shkruan kryeministri krahas videos, ku jepen dëshmi të qytetarëve të lumtur për banesat e reja.
Përmes kësaj videoje, thuhet se 65 familje nga Baldushku, Farka, Petrela, Zall Basatri, Bërzhita, Peza jetojnë tashmë në shtëpitë e reja, të ndërtuara nga Bashkia e Tiranës me fonde të donatorëve.
Tërmeti i 21 shtatorit me një magnitudë rreth 5.6 të Shkallës Rihter i cili u ndoq nga shumë pasgoditje, shkaktoi jo pak dëme në Tiranë e Durrës, duke lënë edhe mjaft familje pastrehë.
Nga tërmeti u dëmtuan 1528 objekte, nga të cilat janë shkatërruar plotësisht mbi 50 banesa, kryesisht në zonat rurale, janë plasaritur rreth 160 pallate, një qendër shëndetësore, 34 shkolla, 13 universitete publike, 2 kabina elektrike, 1 magazinë, 2 ura, dhe 4 automjete. Janë një serë fshatrash të Durrësit, por edhe të Tiranës, Ndroqit, Vorës, Maminasit ku janë shkatërruar banesa.