Lideri i opozitës ruse Alexei Navalny, i cili është drejt përmirësimit, ka bërë një postim dedikuar bashkëshortes së tij Julia-s.
Ai thotë se ishte dashuria e gruas së tij, ajo që i shpëtoi jetën pas helmimit me agjent nervor të llojit Novichok.
Para pak ditësh Navalny tha përmes rrjeteve sociale se nuk ishte në gjendje të përdorte telefonin ose të mbushte një gotë me ujë, por mund të ecë, të shohë e të njohë njerëzit.
Disa orë më parë, Navalny ka publikuar një foto me bashkëshorten e tij, teksa kujton 20-vjetorin e martesës. Ai është bërë nostalgjik dhe ka vendosur të shkruajë disa rreshta.
“Julia ne nuk patëm mundësi të festojmë përvjetorin e martesës në 26 gusht, 20 vjet nga dasma jonë, por sot jam i lumtur dhe i kënaqur që mund ta shkruaj këtë.
Sigurisht e keni parë një gjë të tillë 100 herë në filma, keni lexuar në libra se si një person i dashur qëndron në koma, dhe tjetri me dashurinë dhe përkushtimin e tij të pakufishëm e rikthen në jetë. Kështu ndodhi me ne.”- thotë Navalny.
Lideri rus shprehet se gruaja e tij i këndonte këngë, luante muzikë për të edhe pse ai nuk mban mend asgjë. Ai shton se tanimë e di nga përvoja e vet se dashuria të kthen në jetë.
“Nuk dyshoj për asnjë sekondë, jam i sigurt se ka një shpjegim shkencor për këtë. Ndërsa ndjeja tonin e zërit të gruas sime, truri im lëshonte dopaminë, dhe bëhej më e lehtë.
Çdo vizitë më shëronte fjalë për fjalë, si dhe çdo pritje e ardhjes së saj. Por, sado i mrekullueshëm të duket shpjegimi mjekësor, tani e di me siguri vetëm nga përvoja ime se dashuria shëron dhe të kthen në jetë. Julia, ti më shpëtove dhe shpresojmë se kjo do të regjistrohet në librat shkollorë të neurologjisë”- shkruan Navalny.
Navalny u sëmur befas më 20 gusht teksa ishte në fluturim nga qyteti i Tomsk drejt Moskës. Avioni u detyrua të bëjë ulje të detyruar në Omsk, ku ai u shtrua me urgjencë në spital para se të transportohej drejt Gjermanisë, ku ndodhet aktualisht.
Pas mbërritjes në Berlin, u deshën disa ditë para se qeveria gjermane të dilte me një deklaratë zyrtare sipas së cilës lideri i opozitës ruse, Navalny, ishte helmuar me Novichok, një agjent nervor i prodhuar në Rusi.