Baret e restorantet ishin të mbyllura për gati tre muaj, nga mesi i marsit deri në mesin e muajt maj, duke i detyruar shqiptarët të heqin dorë nga një ritual i përditshëm. Teksa karantina detyroi shumëkënd që të rrinte në shtëpi, edhe shpenzimet për bare e restorante ranë në mënyrë drastike.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve të aktivitetit “Bar-restorante” ra me 55% në tremujorin e dytë, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s. Në tremujorin e dytë të 2019-ës, ky indeks ishte rritur rreth 4% me bazë vjetore.
INSTAT raporton se mesatarisht, aktiviteti i bareve e restoranteve qarkullon rreth 375-390 milionë euro në vit, sipas të ardhurave gjithsej raportuar në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve 2018 dhe volumit të rritjes prej rreth 4% në 2019-n. Mesatarisht çdo tremujor, shqiptarët shpenzojnë në kohë normale në bare e restorante rreth 95-97 milionë euro. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, në kulmin e karantinës rezulton të jetë shpenzuar 55% më pak, ose rreth 54 milionë euro më pak për ritualin e përditshëm të kafesë, ose konsumit të pijeve e produkteve ushqimore nëpër restorante.
Mbyllja e bareve dhe restoranteve ndikoi negativisht dhe në punësim. Sipas të dhënave të INSTAT shkurtimet më të mëdha nga puna janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve ku raportohet rënie e indeksit të punësimit me 31.8%, e pasuar nga hotelet me -20.2% dhe fabrikat me -12.8%. Në sektorin e akomodimit ushqimor (ku përfshihen baret e restorantet) ishin të punësuar rreth 50 mijë punonjës. Një rënie me rreth 32% e punësimit ka nxjerrë përkohësisht nga tregu i punës rreth 16 mijë persona.
Kafenetë e restorantet përbëjnë 16% të totalit të ndërmarrjeve në ekonomi.
Konsumi në bare e restorante
Sipas INSTAT, i cili publikon konsumin final të familjeve sipas grupeve kryesore, në 2018-n, viti i fundit kur janë në dispozicion të dhënat, shpenzimet totale për grupin e bare restorante e hotele ishin 47.8 miliardë lekë, ose rreth 385 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke u rritur me 11% në raport me vitin e mëparshëm.
Shpenzimet për kafe, restorante e hotele përbëjnë 3.7% të konsumit gjithsej. Shqiptarët shpenzojnë për kafe e restorante e hotele, më shumë sesa për arsimin, apo për pije e duhan, sipas INSTAT.
Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Europian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al