Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka reaguar me shqetësim lidhur me ngërçin e krijuar në futbollin shqiptar për shkak të krizës në vend.
Ai ka shpërndarë një video të futbollistëve të Kategorisë Superiore, të cilët shprehen se qeveria duhet t’ju plotësojë kushte më të mira ekonomike.
Meta thotë se kriza në vend po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese në të gjithë sektorët dhe i bën thirrje qeverisë t’i kushtojë vëmendje edhe futbollit.
“Kriza e thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese në të gjithë sektorët.
Futbolli shqiptar, krenaria jonë kombëtare, prej javësh ndodhet në një ngërç, për shkak të vendimit për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020 / 2021, që duket se do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në mungesë të vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme.
I njohur me kërkesat e drejta të Ligës Profesioniste të Futbollit, i bëj thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar, që ka kohë që ndodhet në vështirësi dhe sot kërkon vëmendje e mbështetje nëpërmjet një baze të sigurt ligjore.”- shkruan presidenti Meta.
Klubet shqiptare të futbollit po vazhdojnë me bojkotin e tyre, teksa nuk kanë pranuar të zhvillojnë as ndeshjet e javës së dytë ndërsa presin nga qeveria t’u përgjigjet kërkesave të tyre.