Presidenti rus Vladimir Putini, i ka ofruar stafit të OKB-së t’u sigurojë falas vaksinën “Sputnik V”.
Ai e bëri këtë propozim të martën, gjatë një fjalimi në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti të OKB-së, që shënon 75-vjetorin e organizatës.
Por mjaft shkencëtarë të perëndimit kanë ngritur shqetësime se vaksina nuk është ende gati për përdorim të gjerë – duke nxitur meme në të gjithë botën për efektet anësore të çuditshme të mundshme.
“Çdokush nga ne mund të përballet me këtë virus të rrezikshëm. Virusi nuk ka kursyer stafin e Kombeve të Bashkuara, selinë e tij dhe entitetet rajonale”– tha Putini në një fjalim nga Moska, citon ABC News. Për herë të parë në histori, për shkak të pandemisë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u zhvillua online.
“Rusia është e gatshme t’u ofrojë punonjësve të OKB-së ndihmën e nevojshme, të kualifikuar, dhe në veçanti ne propozojmë të furnizojmë me vaksinën tonë falas për punonjësit e organizatës dhe filialet e saj që dalin vullnetarë për vaksinimin.”– tha Putini, i cili ka kujtuar se dhe vajza e tij, është në mesin e atyre që e kanë injektuar vaksinën.
Mirëpo stafi i OKB-së nuk ka dhënë përgjigje nëse ata do ta pranojnë këtë ofertë.