Vendosni fjalën kyçe....

Dy të plagosur nga të shtënat me armë në Elbasan


Dy persona kanë mbetur të plagosur nga ngjarja në Elbasan ku një person qëlloi me armë ndaj policisë.

Autori i dyshuar i ngjarjes është Lefter Zhidru ndërsa të plagosur kanë mbetur, Dilaver Konaxhiu e Ledio Saraçi, të cilët ishin kalimtarë të rastësishëm dhe nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Fillimisht policia e Elbasanit u njoftua për një konflikt familjar. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, në lagjen 11 Nëntori, personi brenda banesës që kërcënonte me armë disa familjarë, nisi të qëllonte ndaj policisë.

Sipas kësaj të fundit, nga banesa ku qëndon autori i dyshuar janë nxjerrë një grua dhe një vajzë, ndërsa të plagosurit janë dërguar në spital ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi

Më datë 24.09.2020, rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar dhe vijon të qëllojë me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.

Forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme janë pozicionuar dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjnë thirrje këtij shtetasi të dorëzohet, i cili vijon të bëjë rezistencë duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të Policisë. Si pasojë e të shtënave janë plagosur jashtë rrezikut për jetën dy shtetas, L. S., 22 vjeç dhe A. K., 21 vjeç, kalimtarë të rastit, në momentin që ky shtetas ka filluar të qëllonte me armë në drejtim të Policisë

Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur menjëherë forcat e FNSH dhe të RENEA-s, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e shtetasit që vijon të qëllojë me armë në drejtim të Policisë. Shtetasi Lefter Zhidru vijon të qëllojë me armë duke bërë rezistencë edhe pas thirrjeve të pandërprera të Policisë. Banesa nga e cila po qëllon ky shtetas është e rrethuar dhe Policia ka vendosur një perimetër të gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimin e kalimtarëve të tjerë të rastit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *