Sektori i turizmit është goditur rëndë këtë nga pandemia çka ka prekur numrin e turistëve që kanë pritur këta të fundit me një tkurrje të dukshme në raport me një vit më parë e për rrjedhojë edhe xhiron e këtyre të fundit. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se qarkullimi i të ardhurave ra me 61.4 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rënie e xhiros lidhet drejtpërdrejt me prezencën më të pakët të turistëve në hotele. Për shkak të kufizimeve të lëvizjes së lirë, turistët e vetëm që vizituan Shqipërinë këtë vit ishin ata nga vendet fqinjë dhe polakët por në fakt lëvizja e vërtetë nisi vetëm në qershor kur vendi ynë hoqi tërësisht masat kufizuese. Indeksi i volumit në tremujorin e dytë 2020 shënoi një rënie 63 për qind në raport me tremujorin e dytë 2019.
Të dhënat e tjera të INSTAT bënë të ditur se numri i shtetasve tëhuaj të hyrë në vendin tonë përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020 është 781.894, duke rënë me 63,4%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Si rrjedhojë e pandemisë dhe kufizimit të udhëtimeve, shumë turistë të huaj anuluan udhëtimet, por dhe turizmi i brendshëm ndaloi, duke i vënë hotelet në vështirësi.
Pavarësisht situatës së vështirë strukturat hoteliere kanë arritur që të mbajnë në punë pjesën më të madhe të stafit. Tkurrja e indeksit të punësimit në tremujorin e dytë ishte me 20 për qind në raport me tremujorin e njëjtë të një viti më parë. Kjo lidhet me dy aspekte. Së pari shteti aplikoi një nga skemat e ndihmës që lidhej me “pagën minimale” dhe së dyti vetë strukturat hoteliere parashikonin që të kishin sezon veror dhe normalisht do t’ju duhej stafi i kualifikuar.
Fatos Çerenishti, administrator i FAFA Group një prej strukturave më të mëdha hoteliere në zonën e Golemit u shpreh pak kohë më parë për Monitor se gjetja e stafit të kualifikuar pasi janë trajnuar për disa vite me radhe është e vështirë. Futja e shërbimit “all inclusive” (të gjitha të përfshira) sipas tij është specifik dhe normalisht stafi që është pjesë përbërëse e shërbimit në strukturë luan një rol kyç ndaj ai nuk pa të arsyeshme të bënte shkurtime edhe gjatë kohës së karantinës.
Por hotelet, ndonëse i kanë mbajtur punonjësit në punë, janë detyruar të shpenzojnë më pak për paga. Indeksi i pagës është tkurrur me 24.2 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti sipas INSTAT çka tregon se edhe ulja e pagave në raport me një vit më parë ka qenë disi më e moderuar po të kemi parasysh indekset e tjera që lidhen me aktivitetin ekonomik të strukturave hoteliere.
Sigurisht krahasimi i vitit aktual me atë të kaluar që ishte viti më i mirë i turizmit shqiptar e bën edhe më pesimiste situatën. Tremujori i tretë i vitit 2019, që është deri tani viti më i mirë historik për turizmin, regjistroi indeksin më të lartë ndonjëherë në vlerë pra të ardhurat e hoteleve, por edhe atë të volumit që tregon numrin e turistëve që vizituan këto struktura. Indeksi i vlerës, me referencë vitin 2015, arriti në 300, çka nënkupton që qarkullimi i hoteleve në tremujorin e tretë 2019 ishte tre herë me i lartë se katër vjet më parë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al