Vendosni fjalën kyçe....

“Ata po përpiqeshin të bënin grusht shteti” – Trump akuzon zyrtarët e FBI-së


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se FBI-ja e vuri në shënjestër atë duke tentuar një ‘grusht shteti’, pasi dokumentet e publikuara rishtas treguan se agjentët federalë blenë polica sigurimi nga frika se trajtimi i tyre i së ashtuquajturës dosje ‘Trump-Rusi’ mund të çonte në telashe ligjore.

Dokumentet e reja u zbuluan në një gjykatë federale dhe janë depozituar të enjten nga Sidney Powell, avokati mbrojtës i ish-këshilltarit të presidentit Trump, Michael Flynn. Duke përmendur çështjen në fjalë, presidenti u tha mbështetësve të tij në Florida se FBI-ja ishte kapur duke provuar një ‘grusht shteti’.

“Sot u publikuan një mori mesazhesh me tekst nga agjentët e FBI-së të përfshirë në gjueti shtrigash ruse.” – tha Trump, duke lexuar një titull nga Federalist.

“Këta njerëz janë llum. Ata po përpiqeshin të bënin një grusht shteti. Dhe ne i kemi kapur para kësaj, i kapëm duke spiunuar kombin tonë. Mos harroni kurrë: ata po vijnë pas meje sepse unë po luftoj për ju.” – theksoi Trump.

Dokumentet, të cilat kryesisht përbëhen nga mesazhe me tekst midis agjentëve federalë të paemëruar, zbulojnë se të dy personat e FBI-së dhe CIA-s blenë polica sigurimi të përgjegjësisë, disa ditë para se Trump të merrte detyrën, nga frika se rrjedhjet e paligjshme të mediave në Departamentin e Drejtësisë mund të rezultonin në procese gjyqësore kundër shumë të përfshirëve në fazën e parë të hetimit të çështjes ‘Trump-Rusi’, e njohur atëherë me emrin e koduar të FBI-së, ‘Crossfire Hurricane’.

“Ne të gjithë shkuam dhe blemë polica sigurimi të përgjegjësisë profesionale.” – tha një agjent në një mesazh në 10 Janar 2017, rreth 10 ditë para marrjes së detyrës nga Trump.

“Dreq. Të gjithë analistët gjithashtu?” – tha një agjent tjetër, duke bërë që i pari të përgjigjej: “Po. Të gjithë njerëzit në Agjenci gjithashtu.” – një referencë e dukshme për CIA-n.

Kur agjenti i parë u pyet se kush mund të ngrinte procese gjyqësore, ai u përgjigj: “Haha, kush e di. Unë mendoj se shqetësimi kur e morëm ishte se kishte një rrjedhje të madhe në DOJ dhe New York Times ndër të tjerët do bënte një shkrim.”

“Mendimi ishte nëse ajo gjë del në dritë dhe 20 janari vjen rreth… Prokurori i ri i Përgjithshëm mund të ketë disa pyetje…atëherë do e hamë të gjithë.”

Mesazhet gjithashtu tregojnë se hetimi i veçantë i FBI-së për Michael Flynn, atëherë këshilltari i sigurisë kombëtare i Trump, u mbajt gjallë shumë kohë edhe pasi figura të larta në FBI urdhëruan mbylljen e hetimit, duke mos gjetur asnjë ‘informacion kompromentues’ mbi Flynn.

Ndërsa një agjent shprehu lehtësim në fillim të nëntorit 2016 që hetimi Flynn – i quajtur ‘Crossfire Razor’ – u urdhërua të mbyllej, ai urdhër ishte shkelur deri në janar 2017, tha personeli i zyrës në mesazhe.

Tekste të tjera tregojnë agjentë që diskutojnë përdorimin e Letrave të Sigurisë Kombëtare (NSL) si një pretekst për të ‘blerë kohë’ dhe për të zvarritur hetimin, duke lejuar FBI-në të vazhdojë të gërmojë në financat e Flynn me pak mbikëqyrje gjyqësore, pavarësisht se ‘gjurmët’ e mëparshme u kthyen duke mos nxjerrë asgjë.

Flynn u detyrua të japë dorëheqjen si këshilltar i sigurisë kombëtar në 2017 dhe më vonë u akuzua për mashtrim të FBI-së në lidhje me kontaktet e tij me ambasadorin rus, Sergey Kislyak, me të cilin ai u akuzua se kishte diskutuar sanksione amerikane ndaj Rusisë para betimit të Trump si president. DOJ ka urdhëruar që çështja e Flynn të mbyllet.

Ndër zbulimet e tjera, mesazhet e reja tregojnë gjithashtu se disa agjentë besuan se zyrtarët e FBI-së që drejtonin hetimin ‘Trump-Rusi’ ishin të njëanshëm në favor të kandidates së atëhershme demokrate për president, Hillary Clinton, madje duke shpresuar se ajo do të fitonte garën e vitit 2016.

“Duke bërë gjithë këtë hulumtim zgjedhor – mendoj se disa nga këta njerëz duan një presidencë të Klintonit.” – tha agjenti.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *