Tre persona janë arrestuar në Durrës dhe janë shpallur në kërkim tre të tjerë pas një operacioni në disa zonat të këtij qarku.
Një 42-vjeçar me iniciale E.K pas kontrollit fizik iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë “Luger”.
Ndërsa nga komisariati Krujë pas një kontrolli në banesën e shtetasit S.L 58 vjeç u gjet një ambient i përshtatur për kultivimin e lëndëve narkotike si edhe iu gjet një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak.
Në kërkim u shpallën edhe 3 djemtë e 58 vjeçarit.
Ndërsa një shtetas tjetër u kap pasi iu gjet në banesë një mjet i vjedhur në Lusnjë pak ditë më parë.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe shpallen në kërkim policor 3 të tjerë.
Sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike dhe 2 automjete.
Në kuadër të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë vijuar me kontrollet në të gjithë qarkun e Durrësit.
Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 42, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Luger”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin S. L., 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim policor djemtë e tij, shtetasit T. (E.) L., 35 vjeç, D.(Y.) L., 37 vjeç dhe E. L., 26 vjeç, banues në Thumanë. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. L., në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara cannabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike.
Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi P. L., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po lëvizte (të cilin e kishte marrë me qira), iu gjetën 2 palë çelësa mjetesh, ku njëri prej tyre i përkiste një mjeti të vjedhur, i cili rezultoi se ishte i vjedhur në Lushnjë më datë 09.09.2020 dhe u gjend i parkuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa.