Policia ka dhënë informcionin zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Pogradec, ku një grua u gjet e pajetë në banesë dhe pranë saj qëndronte vajza 9-vjeçe.
Sipas policisë gruaja e quajtur Maria Markovska kishte disa ditë që kishte ndërruar jetë. Vajza 9-vjeçare e cila vuante nga një sëmundje, ka parë tmerr me sy deri në momentin që trupi i pajetë i së ëmës u gjet nga policia.
Vogëlushja ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Pediatrinë e Pogradecit, ndërsa nëna e pajetë është dërguar në morg.
Paraprakisht dyshohet se vdekja e saj ka ardhur për shkaqe natyrale, megjithatë pritet ekspertiza mjeko-ligjore.
“Më datë 25.09.2020, rreth orës 22:20, në lagjen nr. 3, në banesë, është gjetur pa shenja dhune, trupi i pajetë i shtetases M. M., rreth 45 vjeçe, e cila dyshohet të ketë ndërruar jetë nga shkaqe natyrale disa ditë më parë.
Viktima në banesë, jetonte me vajzën e saj shtetasen J. M., 9 vjeçe, e cila vuan nga paaftësi fizike dhe aktualisht ndodhet në Pediatri nën kujdesin mjekësor.
Trupi i shtetases M. M., është dërguar në morgun e Spitalit dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Ngjarjen e bën më të rëndë edhe fakti që para një muaji, gruas në fjalë i kishte ndërruar jetë edhe bashkëshorti.