Një 63-vjeçar nga Tunizia është ndaluar në aeroportin e Rinasit, pasi kishte me vete një shumë të madhe parash të padeklaruara.
Atij iu sekuestruan plot 67850 paund, të cilat i mbante në çantën e tij të shpinës.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, si rezultat i shtimit të kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, shtetasin J. D., 63 vjeç, lindur në Tunizi dhe banues në Angli.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shtetasit të lartpërmendur, në çantën e tij të shpinës dhe në valixhe, shërbimet e Policisë Kufitare, i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 67850 paund.”- njofton policia.
Tuniziani me inicialet J. D. u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.