Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku detyron zyrtarin e lartë në Vatikan të japë dorëheqjen


Zyrtari i rangut të lartë të Vatikanit, Kardinali Giovanni Angelo Becciu ka dhënë dorëheqjen papritur, por ka zbuluar iu desh ta bënte këtë pasi ia kishte kërkuar Papa Françesku.

Kardinali tha se dyshohej se u kishte dhënë vëllezërve të tij para të kishës, por i mohoi këto akuza.

Kardinali Becciu ishte një ndihmës i afërt i Papës dhe më parë kishte një rol kryesor në Sekretariatin e Shtetit të Vatikanit.

Ai u përfshi në një marrëveshje të diskutueshme për të investuar në një ndërtesë luksoze në Londër me fondet e Kishës.

Ky investim ka qenë objekt i një hetimi financiar.
Dorëheqjet në këtë nivel të Vatikanit, janë jashtëzakonisht të rralla dhe Selia e Shenjtë foli shumë pak për këtë në komunikatë.

“Ati i Shenjtë pranoi dorëheqjen nga zyra e Prefektit të Kongregatës për Kauzat e Shenjtorëve dhe nga të drejtat e lidhura me Kardinalin, të paraqitura nga Eminenca e Tij Kardinali Giovanni Angelo Becciu”– thuhet në deklaratë, citon BBC.

Por kardinali 72 vjeçar, i tha faqes italiane Domani se po dëbohej sepse dyshohej se u kishte dhënë para vëllezërve të tij.

“Unë nuk vodha as një euro. Unë nuk jam nën hetim, por nëse ata më dërgojnë në gjyq, unë do të mbrohem”, u citua të thoshte ai.

Duke folur më vonë në një konferencë shtypi, kardinali tha se largimi i tij kishte ardhur “si një rrufe në qiell”. Ai tha se Papa “po vuante” kur dha lajmin.

“E gjitha është surreale. Deri dje … Ndjeja se isha një mik i Papës. Atëherë Papa më tha se ai nuk kishte më besim tek unë sepse ai mori një raport nga magjistratët se unë kisha bërë një veprim të keqpërdorimit.”

Kardinali Becciu këmbënguli se kishte pasur “një keqkuptim”, duke shtuar: “Unë jam gati t’i shpjegoj gjithçka Papës. Unë nuk kam bërë asgjë të keqe”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *