Votuesit zviceranë do të vendosin të dielën nëse do të thyejnë marrëveshjen e lëvizjes së lirë të njerëzve me BE-në.
Mbështetësit thonë se një vendim i tillë do të lejojë Zvicrën të kontrollojë kufijtë e saj dhe të zgjedhë vetëm emigrantët që dëshiron, shkruan BBC.
Por kundërshtarët argumentojnë se kjo do të zhysë ekonominë e shëndetshme të Zvicrës në recesion dhe do të privojë qindra mijëra qytetarë zviceranë nga liria e tyre për të jetuar dhe punuar në të gjithë Evropën.
Ministri i drejtësisë thotë se kjo do të krijonte një situatë “më të keqe se Brexit”.
Pse Zvicra jo anëtare e BE-së duhet të shqetësohet për lëvizjen e lirë?
Zvicra vendosi shumë kohë më parë që të mos bashkohej me BE-në, por dëshiron hyrjen në zonën e tregtisë së lirë të Evropës dhe dëshiron të bashkëpunojë me Brukselin në fusha si transporti, mjedisi dhe kërkimi dhe arsimi.
Çmimi për këtë është regjistrimi në “shtyllat” kryesore të politikës së BE-së, përfshirë lëvizjen e lirë dhe kufijtë e hapur të Shengenit.
BE vazhdimisht u ka thënë zviceranëve se nuk do të ketë zgjedhje të njëanshme: largimi nga lëvizja e lirë do të thotë të largohesh edhe nga ato rregullime fitimprurëse.
Pse tani?
Propozimi vjen nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë (SVP) dhe është pasardhëse e një referendumi të mbajtur në vitin 2014 (gjithashtu nga Partia Popullore) për të futur kuota për emigrantët nga BE-ja, shkruan BBC.
Kjo kaloi me një rezultat të ngushtë (50.33% thanë po, 49.67% thanë jo), duke detyruar qeverinë zvicerane për të gjetur një marrëveshje të cilën Brukseli do ta pranonte. Në fund u ra dakord për një kompromis: punëdhënësit zviceranë u duhej t’u jepnin përparësi punëtorëve me banim të përhershëm në Zvicër, në sektorët e punës ku papunësia është tashmë e lartë.
SVP e hodhi poshtë marrëveshjen si aq të dobët sa që ishte praktikisht e pakuptimtë dhe tani i janë kthyer një kërkese të dytë për të dalë plotësisht nga lëvizja e lirë.