Këshilli i ministrave ka vendosur të shkurtojë fondet për programet e Rindërtimit të parashikuara për këtë vit. Bëhet fjalë për një shkurtim prej 1 miliardë lekësh.
Sikurse thuhet në VKM, “shifra … 3 239 666 018 (tre miliardë e dyqind e tridhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëmbëdhjetë) …” zëvendësohet me “… 2 239 666 018 (dy miliardë e dyqind e tridhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëmbëdhjetë) …”.
Ndryshimet janë bërë në fondin e përcaktuar për rindërtimin në zonat e reja të shpallura për zhvillim në bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë, për vitin 2020.
Sikurse thuhet në vendimin e miratuar në mbledhjen e 23 shtatorit, mbi 700 milionë lekë të këtij fondi do t’i kalohen Fondit Shqiptar të Zhvillimit, dhe mbi 1 miliardë lekë Bashkisë së Tiranës.
Në të njëjtën mbledhje, qeveria ka vendosur të ulë gjithashtu me 50 përqind fondin e rindërtimit për banesat individuale.
Siç e vëreni dhe më poshtë, ky fond është ulur nga 8 miliardë lekë ( të miratuara në mars 2020), në 4 miliardë lekë.
Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do i kalojnë 2 miliardë lekë nga këto.
Qeveria nuk ka dhënë shpjegime për këtë vendim e ndaj nuk është e qartë se pse është bërë ky shkurtim. Është e mundur që qeveria t’i ketë ulur për këtë vit, për t’i shtuar përsëri në buxhetin e vitit të ardhshëm, kur është edhe kohë fushate? Nuk dihet sesi do veprohet, por një detaj si shtimi i fondeve para fushatës (edhe pse fondi është i njëjtë në thelb) mund të jetë i leverdisshëm për kryeministrin Edi Rama, i cili kërkon mandatin e tretë, pasi mund ta përdorë rindërtimin e banesave si mjet për të bindur zgjedhësit. /Hashtag.al